Nga: Ornela Manjani

Çmimet e paketave turisike do të ulen pas hyrjes në fuqi të uljes me 14% të TVSh-së për turizimin. Reflektimi në uljen e çmimit mund të mos jetë i drejtpërdrejtë. Fillimisht ulja e barrës fiskale do të reflektohet në rritje e cilësisë së shërbimeve, që do të thotë se shërbimet më të mira do të merren me të njëjtin çmim ose më të ulët.

Skema e uljes së çmimeve nga ulja e TVSH-së u bë në emisionin “Të bësh ekonomi”. “Çdo njësi akomoduese që ka të ardhura deri në 5 milionë lekë nuk paguan tatim mbi të ardhurat, TVSH-ja është ulur 6% ndërkohë që do t’i rimbursohen edhe shpenzimet sipas ligjit. Ne kemi një ligj për turizmin, që ka filluar të zbatohet dhe po ecet përpara. Në akomodim hyjnë hotelet, motelet, bujtinat, shtëpitë, të cilat sipas udhëzimit të ministrisë ka filluar vetëdeklarimi për hotelerinë. Janë respektuar të gjitha afatet ligjore, shpeshherë janë mbledhur edhe grupet e interesit për të përafruar udhëzimet me kërkesën e grupeve për të pasur një bashkëpunim më të plotë. Me katër shoqata turistike ne kemi bashkëpunuar dhe kemi përmbyllur fazën e plotë ligjore dhe ka filluar procedura e vetëdeklarimit”, – tha drejtori i Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Ardit Çokllaku.

“Ulja e taksës e bën vendin më atraktiv për investimet e huaja, jemi vendi i dytë në rajon me taksën më të ulët tani në turizëm. Ulja e TVSH-së do të pasqyrohet jo vetëm në rritjen e cilësisë së shërbimit por edhe në ulje të çmimeve Shqipëria deri tani turizmin e ka pasur vetëm si slogan prioritar, tani është kthyer në një sektor prioritar realisht. Po presim vendimin e Parlamentit dhe kjo do ta kthejë turizmin në sektor shumë të rëndësishëm për vendin dhe do ta formalizojë tregun. Janë 3900 njësi akomoduese, ku hyjnë shtëpi të formalizuara dhe ka edhe një herë kaq të paformalizuara, të cilat janë lënë jashtë edhe nga ligji i turizmit. Lehtësimi fiskal do t’i kthejë të formalizuara, sepse ka më shumë interes ta formalizosh se sa të punosh i fshehur”, – deklaroi përfaqësues i industrisë së turizmit, Zak Topuzi.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb