TIRANE- Në Zyrat Qendrore të UNESCO-s në Paris, u organizua takimi tematik Konsultativ për Ekspertët mbi Menaxhimin e Qëndrueshëm të Pasurive Botërore që përfshijnë vlera shpirtërore fetare në Zonën e Mesdheut dhe Evropës Juglindore.

Ky takim zhvillohet në kuadër të nismës së UNESCO-s për trashëgiminë me vlera shpirtërore fetare, me qëllim afatgjatë hartimin e udhëzimeve për të gjitha shtetet palë në menaxhimin e këtyre pasurive si dhe koordinimin e zbatimit të programeve konkrete të ndërmarra në këtë kuadër në të gjithë botën.

Në përgjigje të ftesës së UNESCO-s drejtuar shteteve palë të rajonit të Mesdheut dhe Evropës Juglindore për të kontribuar në këtë iniciativë, Instituti i Monumenteve të Kulturës u prezantua me temën: “Trashëgimia kulturore me vlera shpirtërore fetare në qendrat historike Berat dhe Gjirokastër-pasuri botërore”.

Drejtoresha e Instituti i Monumenteve të Kulturës (IMK) Arta Dollani në fjalën e saj prezantoi  përshkrimin e Qendrave Historike Berat dhe Gjirokastër dhe vlerës së veçantë universale për të cilën janë shpallur pasuri botërore.

Dollani prezantoi vlerat shpirtërore fetare që lidhen me këto Qendra Historike dhe jetën e komunitetit lokal si dhe toleranca ndërfetare si vlerë e popullit shqiptar, vijimësia e vlerave shpirtërore fetare përgjatë shekujve në këto monumente.

Në fjalën e saj ajo prezantoi gjithashtu kuadrin ligjor dhe kuadrin institucional, sfidat e hasura në këtë proces si dhe punën që po zhvillohet nga IMK dhe Ministria e Kulturës për katalogimin e vlerave materiale si dhe identifikimin e vlerave shpirtërore që lidhen me to.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb