Menu Krye Të Fundit | Shqipëria |

Ura bashkuese mbi muret ndarëse

jorgji-kote

Nga dr. Jorgji Kote

Të dielën e datës 13 gusht 1961, në orën 01:54, pa pritur që të gdhihej, me qindra e mijëra forca ushtarake dhe policore gjermano-lindore filluan në fshehtësi të plotë ngritjen e Murit të Berlinit. Ndonëse është folur e shkruar aq shumë, edhe sot, 56 vjet pas ngritjes së tij, imagjinata njerëzore e ka tejet të vështirë të pranojë logjikën e këtij megaabsurdi. Sepse, siç e kam përshkruar gjerësisht në librin “Berlini pa Mure”, bëhet fjalë për një mur unikal 156 km të gjatë me katër breza me tela me gjemba, mijëra shtylla, kanale, 302 bunkerë etj. që vijoi sofistikimin teknologjik deri në vitet ‘80.

Ndryshe nga ata të mëparshmit që kishin karakter mbrojtës apo fetar – Muret e Babilonisë, Muri i Madh Kinez, Muri i Lotëve etj., Muri i Berlinit ndau për 28 vite fizikisht një qytet dhe një vend në dy sisteme dhe dy botë krejt të kundërta! Ai ishte pasojë e zhgënjimit të thellë me epërsitë virtuale të socializmit. Gjatë periudhës 1949 – 1961, mbi 2,5 milionë gjermano-lindorë vërshuan drejt Berlinit Perëndimor, nga të cilët 160.000 vetëm gjatë 6 muajve të parë të vitit 1961! Ky mur vërtet frenoi largimin në Perëndim, por jo frymën, idealin dhe dëshirën, që mbetën të gjalla deri në rrëzimin e tij; sepse, nga “Prusia e Kuqe” apo “vitrinë” e pretenduar e socializmit, Berlini Lindor ishte kthyer në një Ferr të Kuq dhe kafaz të mbyllur turpi, kurse RFGJ-ja ishte kthyer në një mrekulli të re social-ekonomike botërore.

Dihet tashmë historia e 28 viteve deri në shembjen e këtij muri që solli ribashkimin historik paqësor gjerman/evropian. Kjo falë Perëndimit, që iu kundërvu nismës ogurzezë të Hrushovit dhe Ulbricht/Honeker me hedhjen e spirancave dhe ndërtimin e urave të shumta lidhëse të mirëkuptimit, afrimit dhe bashkëpunimit. Muri pësoi krisjen e tij të parë më 26 qershor 1963, kur presidenti mitik Kennedy mes ekzaltimit të gjysmë milionë berlinezëve bëri fare pranë tij pohimin emblematik “Ich bin ein Berliner” (Unë jam berlinez).

Më 1970, Kryebashkiaku i Berlinit Perëndimor i asaj periudhe, Kancelari Nobelist Ëilly Brandt lançoi “Ostpolitik”, një platformë emblematike me objektiv final “ndryshimin nëpërmjet afrimit me Lindjen”. Ostpolitika dhe përkrahja e fuqishme amerikane ishte Harta Rrugore me “stacionet” e njohura madhore historike – Pranvera Çeke, Solidarnosi Polak, Soproni Hungarez dhe Ballkoni i Pragës, që çuan te 9 nëntori 1989 historik i shembjes së këtij muri.

Por, për të qenë realistë, me gjithë arritjet e shumta, sot bota dhe Evropa janë ende larg pritshmërive të fillimit të viteve ‘90 dhe triumfit përfundimtar mbi muret. Për më tepër, 27 vjet pas rrëzimit të Murit të Berlinit, vërehet sërish një zell i madh për zgjidhjen e krizave dhe problemeve të ndryshme, duke mbrojtur e, ca më keq, duke ndërtuar mure të gjithfarëllojshme – prej guri dhe betoni, fizike dhe virtuale, shpirtërore, politike, partiake, ideologjike, etnike, ekonomike, integruese, tregtare, fetare, racore, gjinore etj.; natyrisht, jo si Muri i Berlinit, por pak a shumë me të njëjtin synim dhe efekt – të ndajnë fizikisht popujt, idetë, vlerat, kulturat, ekonomitë, besimet.

Këtu nuk e kemi fjalën për muret penguese ndaj vërshimit të paligjshëm të miliona emigrantëve, si ai në kufirin SHBA – Meksikë apo dhe në Hungari; edhe pse për to mbetet i hapur opsioni i rrugëve dhe alternativave të tjera më efikase, që të pasqyrojnë imazhin dhe vlerat e vërteta euroatlantike; as për muret raketore që kanë qëllime mbrojtëse. Fjala është për vazhdimin e ekzistencës dhe ngritjen e mureve të reja brenda vendeve dhe ndërmjet tyre. Por më të rrezikshmet prej tyre janë muret në kokat dhe mentalitetin e njerëzve. Mijëra të rinj dhe në vendet perëndimore janë radikalizuar dhe rreshtuar përkrah Shtetit Islamik, sepse në vend të urave të hapjes dhe integrimit, kanë montuar në mendjet e tyre ura, bunkerë dhe gjithfarë barrierash të tjera që i kanë larguar nga realiteti.

Analizën e plotë e gjeni sot në Gsh.al në linkun http://www.gsh.al/2017/08/12/ura-bashkuese-mbi-muret-ndarese/


KOMENTO

*E-mail nuk do te publikohet.
Komenti juaj do publikohet brënda 3 orëve , nëse përdorni fjalor ofendues , komenti nuk do të publikohet nga moderatori .


Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.