TIRANË – Ish-Presidenti Alfred Moisiu është dekoruar sot nga Ministria e Mbrojtjes me “Medaljen e Mirënjohjes”. Në motivacionin e dekorimit thuhet: “Ministri i Mbrojtjes në 70-Vjetorin e Çlirimit të Atdheut dhe në 85-vjetorin e lindjes i jep z.Alfred Moisiu, Medaljen e Mirënjohjes për kontributin e tij në mbrojtjen e vendit.”

bazo per mojsiun
Duke bërë një biografi të ish-Presidentit, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Bazo, deklaroi: “Moisiu trupëzon në vetvete ushtarakun e suksesshëm të karrierës, njeriun me integritet të pacenueshëm dhe modelin e burrit të shtetit”.

mimi kodheli1
Më pas, e mori fjalën Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, e cila tha: “Një gjë do të komentoja në fjalën e Gjeneral Bazes për këtë 85-vjetor të ish-Presidentit, kur tha “i uroj pleqëri të mbarë”. Unë do të thoja “Kur t’i vijë pleqëria, ia uroj të mbarë”.

Vetë Moisiu, në falënderimin e tij tha: “Shpresoj që unë vërtet të kem bërë kaq shumë për vendin tim. Do të punoj për vendin tim sa të kem frymën time gjallë, sepse kështu e do Atdheu, kështu e do Shqipëria, kështu e meriton populli im.

Ju mund të pyesni pse unë zgjodha karrierën ushtarake…Siç e dini, babai im, Spiro Moisiu, ishte Komandant i Përgjithshëm. Që në kohën e Zogut ai ishte ushtarak dhe mua më tërhiqnin veshjet e tij të bukura, uniformat e bukura. Dhe kjo ishte një nga arsyet. Arsyeja e dytë ishte se ushtarakët atëherë lëviznin shumë, nga vendi në vend e kishin edhe mundësitë. Unë do të uroja që edhe ushtarakët tanë ta kenë këtë mundësi sot që jemi integruar në NATO.

E kam mbajtur uniformën më shumë se 40 vjet, kam pasur ulje – ngritje, por kalitja më bëri t’i kaloja të gjitha. Ndaj, unë uroj që Ushtria Shqiptare, në rrugën e NATO-s, qoftë me armatime, qoftë me dije, të vazhdojë të ecë në gjurmët e Ushtrisë së krijuar që në vitin 1912. Gjithashtu, – përfundoi Moisiu, – nëpërmjet ministres, dëshiroj t’i përcjell Qeverisë mesazhin që të ketë më shumë kujdes për ushtarakët tanë.”

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: