Kënga më e re e Florit dhe Ledrit, “Beautiful”, ka pasur shumë sukses, edhe pse ka vetëm një ditë që është publikuar. Pjesë e videoklipit të kësaj kënge ka qenë edhe Sara Kapo.

Sara ka rrëmbyer vëmendjen e mediave pak kohë më parë për gjestin e saj human. Ajo dhuroi flokët për njerëzit e sëmurë me kancer.

Blitz.al ka kontaktuar me Sarën për të ditur disa detaje më tepër për ndjesitë e saj për kauzën dhe për pjesëmarrjen në këtë videoklip. Në këtë intervistë ajo ka treguar se si ishte bashkëpunimi me Florin dhe Ledrin dhe çfarë mendon ajo për këtë kauzë. Më shumë detaje do të gjeni në intervistën e mëposhtme.

Si u ndjetë që morët pjesë në këtë videoklip?
-Kur mbaruam xhirimet dhe të hënën u ktheva në punë nuk më besohej që e djeshmja kishte ndodhur. Kur u thashë disa miqve që do të merrja pjesë në një klip me Ledrin dhe Florin më thoshin që janë arrogantë, të pasjellshëm, kur ndërkohë nuk isha ndier aq mirë pas një kohe shumë të gjatë. Jo vetëm çunat, por i gjithë stafi, ishin shumë njerëz simpatikë, gallatë, të sjellshëm dhe jam ndier komode që pas 20 minutash bisedë. Përgjithësisht më kanë kërkuar shpesh për projekte, por kanë qenë patetike dhe pa sens, ndaj ndihem mirë, në një farë mënyre krenare, që “dola” me një klip dedikuar një kauze aq të thjeshtë, të vërtetë dhe ndryshe nga çdo gjë tjetër.

 A mendoni se flitet mjaftueshëm në media për këto raste?
-Jo! Në rast se do të flitej mjaftueshëm do e nxinin gjithsesi vendin “lajmet që nuk janë lajme”. Përveç atyre standardeve politike dhe showbizz mendoj se shoqëria ka nevojë të njihet me “lajme civile”, me ndodhi të thjeshta, frymëzuese apo qoftë edhe tragjike, që në fund të ditës të kuptojnë që çdo gjë sipërfaqësore për të cilën vrasin mendjen nuk ka asnjë vlerë për ta.

A ju mbështet nëna juaj, aktorja e njohur Ema Andrea, në vendimet që merrni?
-Gjithmonë! Ajo e di që çdo vendim që marr (të paktën ato të rëndësishmet) e kam lakuar me qindra herë në kokë dhe thjesht e pyes sepse më duhet ai aprovimi i fundit, si zëri i ndërgjegjes. Normalisht që për shumë gjëra ia kam futur kot, por jo ndonjë që të pendohem dhe përderisa unë nuk mërzitem, Ema është shumë në rregull.

A kanë ndikuar këshillat e saj për aktrimin tuaj perfekt në videoklip?
-Në fakt, mamit nuk i kam marrë kurrë këshilla aktrimi të mirëfilltë. Vetëm kur po dilja nga makina të takoja Florin më dha një këshillë se si të ndiqja kamerën, por asgjë më shumë sesa: “Shijoje mam!’’ Në fakt, edhe ajo bashkë me miq e familjarë janë habitur nga ato pak minuta aktrim (hahahahaha). Më thonë tani që të bëhem aktore, ta lë këngën.

Si ju bëri të ndiheshit fakti që për një moment ishit një nga njerëzit të cilët luftojnë për jetën?
-Kur e mendon thellë, është një përgjegjësi e madhe të luash rolin e dikujt të sëmurë, por fakti që vetë klipi përcjell shumë pozitivitet dhe xhan ma bëri punën shumë herë më të lehtë. Vetë koncepti është të jemi sa më të dashur me njëri-tjetrin, pavarësisht pamjes, historisë dhe duke qenë se përputhet me parimet e mia, e bëra me kënaqësi, do të thosha.

Si e morët vendimin për të dhuruar flokët?
-Nuk dua të tingëlloj si një shenjtore, por që në vegjëli kam ndihmuar të tjerët me sa kam pasur mundësi. Qoftë me rroba, me ushqime, vende pune dhe deri te dhurimi i flokëve së fundmi. Asnjë nga rastet e para nuk i kam shfaqur në rrjete sociale, por kur dhurova flokët postimin e bëra për të informuar njerëzit që edhe kjo formë bamirësie ekziston në Tiranë. Fjalët për mua ishin të shumta, nga e droguar deri tek “e bëri për vëmendje” dhe më trishtoi pak ky mentalitet kaq sipërfaqësor.

A mendoni se vendimi juaj për të dhuruar flokët ka sensibilizuar edhe njerëz të tjerë që të bashkohen me këtë kauzë?
-I ka sensibilizuar dhe kanë vepruar! Më kanë ardhur mesazhe dhe telefonata të shumta për t’u interesuar mbi dhurimin e flokëve dhe çfarë më pëlqeu më shumë ishte fakti që ishin vajza të vogla, as në moshën e adoleshencës, që donin ta bënin këtë akt, madje edhe duke këmbëngulur sepse ndonjëherë prindërit nuk i lejonin, pavarësisht se ishin ata që telefononin ose dërgonin mesazhet.

Mendoni se videoklipi e ka dhënë mesazhin e duhur te publiku?
-Akoma herët është për të parë nëse ia kemi arritur qëllimit sepse dje në darkë doli. Por për të bërë një parashikim të vogël: të jesh VIP nuk do të thotë vetëm t’u tregosh njerëzve çfarë ha, pi, rri dhe vesh. Nëse vërtet mendon se je i/e denjë të jesh “celebrity”, atëherë bëj diçka për komunitetin që njerëzit të ndjekin shembullin tënd. Dhe Flori me Ledrin bënë pikërisht këtë gjë! Janë dy figura shumë të njohura dhe të dashura nga shumica, njerëzit duan të bëhen si ata, të kenë rrobat, suksesin, respektin apo “lifestyle”-in e tyre dhe tani do të duan të kenë edhe ndjeshmërinë e tyre.

Për t’u larguar sadopak nga pjesa e dhimbshme e videoklipit dhe e kauzës, kemi menduar të shohim diçka më shumë rreth marrëdhënies së Sarës me djemtë në videoklip. Le të njohim anën tjetër të këtij videoklipi në intervistën me titull “Flori apo Ledri”.

Kush është më simpatik, Flori apo Ledri?
-Flori.

Kush ështe më mendjemadh, Flori apo Ledri?
-Ledri.

Kush flirton më shumë, Flori apo Ledri?
-Ledri.

Kush është më kërkues për sa i përket punës, Flori apo Ledri?
-Flori.

Kush ka më shumë humor, Flori apo Ledri?
-Flori.

Kush ka aromë më të mirë, Flori apo Ledri?
-Djersë të dy. hahahaha

Kush është i dashuri perfekt, Flori apo Ledri?
-Varet kush ka qenë.

Kush është për “one night stand”, Flori apo Ledri?
-Të dy për një natë i kisha dhe e xhiruam. Hahaha.

Kush mund të ishte miku më i mirë, Flori apo Ledri?
-Flori.

Kush është më i ndjeshëm, Flori apo Ledri?
-Meshkuj mo, sa të ndjeshëm mund të jenë? Hahaha.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: