Ka një diskutim të vazhdueshëm për të ardhmen e trajnerëve dhe është normale që kjo të ndodhë kur ata nuk arrijnë objektivat. Por në Shqipëri ka paradokse nga më të mëdhatë, sepse nuk diskutohet fjala vjen vetëm rasti Josës, që ndoshta jo vetëm për fajin e tij Tirana zbriti nga kategoria, por diskutohet edhe Ernest Gjoka, i pari që shpalli Kukësin kampion në historinë e tij.

Diskutohet edhe Starova, që u rendit i dyti në kampionat. E thënë shkurt, gjatë javës së fundit dilemat më të mëdha kanë qenë pikërisht për trajnerin që fitoi titullin (Gjoka), trajnerin që fitoi Kupën (Josa) dhe për trajnerin që u shpall i dyti në renditje. Natyrisht, për Gjokën drejtuesit mblodhën mendjen dhe bënë atë që ishte e drejtë për t’u bërë: i dhanë besim për të vazhduar. Për “bobin” Partizani doli me një deklaratë nxitimthi që ta konfirmonte për të ardhmen, por sërish kjo mbetet e paqartë. As nuk diskutohet se Starova do të vazhdojë të jetë pjesë e Partizanit, por me gjasë si drejtues kur të nisë kampionati i ri.

Maksimumi, aventura e tij si trajner mund të shkojë deri në përfundim të ndeshjeve europiane. Por maksimumi ama… Shumë më e komplikuar situata për Josën që nuk e di ende nëse do të vazhdojë të drejtojë bardheblutë dhe me ç’duken bathët, as vetë Halili nuk di se ç’do të bëjë me trajnerin.

TRAJNERËT PËR CHAMPIONS
Por a e dini se Shqipëria ka sot 71 trajnerë që janë pajisur me licencën “UEFA Pro” dhe kanë mundësinë të trajnojnë deri në Champions? Po, është pikërisht kështu. Në raportin e publikuar në UEFA, aktualisht Shqipëria ka 71 trajnerë me licencën “UEFA Pro”, 248 trajnerë me licencën “UEFA A”, 537 trajnerë të pajisur me licencën “UEFA B”, ku katër prej tyre janë femra dhe 193 me licencën kombëtare C, 3 prej tyre janë femra. Interesant është se kemi trefishin e trajnerëve të kualifikuar në raport me Azerbajxhanin (23), megjithëse kemi të bëjmë me një shtet prej 10.5 milionë banorë./panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: