I ka dalë në mbrojtje koleges, shefi i Kirurgjisë në spitalin e Elbasanit ku ndërroi jetë 18-vjeçarja Ketjona Ibrahimi pas një operacioni,  cila është në hetim në gjendje të lirë për mjekim të pakujdesshëm.

Teksa tregon peripecitë që kishte kaluar e reja duke u transportuar nga një spital në tjetrin derisa të gjendej se çfarë problemi kishte, shefi i kirurgjisë thotë se J. Maksuti 43 vjeçe, nuk ka kryer asnjë mjekim. “Nuk është përdorur nga ana e saj asnjë ilaç. Ajo thjesht ka pastruar lëngun nga hapësira e barkut dhe e ka vendosur në reanimacion. Dhe, siç iu thashë, pacientja ka pasur përmirësim dhe ka komunikuar shumë mirë me familjarët. Pastaj goditja ka qenë e menjëhershme pas arrestit kardiak”, shprehet ai në një intervistë për InfoElbasani.

Intervista
Dr. Hoxha si qëndron e vërteta e pacientes 18 vjeçare nga Gramshi që ndërroi jetë në kirurgjinë e Elbasanit?
Sipas anamnezës, pacientja ka manifestuar dhimbje të forta barku dhe të vjella në shtëpinë e saj në fshat. Në orën 02.00 të datës 8 korrik, ajo është paraqitur në spitalin e Gramshit. Atje ka marrë ndihmën e parë. Por duke parë se gjendja shëndetësore nuk po përmirësohej, kolegët e Gramshit e sollën në Urgjencën e Qendrës Spitalore këtu në Elbasan. Aty ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Por sërish nuk ka pasur përmirësim. Rreth orës 10.00 të datës 8 korrik është kërkuar një konsultë me mjekët e spitalit kirurgjik.

Pas konsultës, grupi i mjekëve ka arritur në përfundimin se pacientja mund të kishte hemorragji në vezore dhe organet e riprodhimit. Ndaj është përcjellë për një shërbim më të specializuar në Maternitet. Në maternitet i është nënshtruar ndërhyrjes operatore. Por pasi është hapur mjekët nuk kanë kosntatuar hemorragji por një lëng të dyshimtë në kavitetin e barkut.

Për këtë qëllim është kërkuar ndihma e mjekut kirurg. Mjekja J. Maksuti ka kryer pastrimin e lëngut dhe e ka futur në reanimacion. Nga ora 14.00 e pasdites deri në orën 20.00, pacientja ka reaguar mirë dhe ka komunikuar edhe me familjarët. Por në këtë orë ajo ka pësuar arrest kardiak, dhe me gjithë ndërhyrjen nuk ka mundur të shpëtojë.

Policia ka ngritur akuzën e mjekimit të gabuar nga ana e mjekes. Sa e vërtetë është kjo?
Mund të them që është kryekëput gabim. Mjekja në fjalë nuk ka kryer asnjë mjekim. Nuk është përdorur nga ana e saj asnjë ilaç. Ajo thjesht ka pastruar lëngun nga hapësira e barkut dhe e ka vendosur në reanimacion. Dhe, siç iu thashë, pacientja ka pasur përmirësim dhe ka komunikuar shumë mirë me familjarët. Pastaj goditja ka qenë e menjëhershme pas arrestit kardiak.

Cili ishte shkaku i vdekjes sipas jush pasi pacientja ka shkuar sa në urgjencë, në kirurgji, maternitet etj.
Kjo është një procedurë normale për të përcaktuar një diagnozë sa më të saktë. Pra pacientët përcillen tek mjekët specialistë. U dyshua për probleme në organet e riprodhimit ndaj u dërgua në maternitet. Pastaj u rikthye në kirurgji për ndërhyrjen që i përkiste mjekëve të këtij spitali.

Cili ishte shkaku i vdekjes sipas jush?
Shkakun e vërtetë të vdekjes do ta përcaktojë ekspertiza mjeko-ligjore. Në Institutin e Ekspertizës janë dërguar mostra të lëngut që iu gjet në bark dhe mostra nga organet e ndryshme të trupit dhe indet. Dhe vetëm pasi të jetë përcaktuar shkencërisht, atëherë mund të jepet se cili ka qenë shkaku i vdekjes.

Megjithatë kufoma u dërgua në morg dhe sipas procedurës që ndiqet në këto raste ajo i nënshtrohet autopsisë. Mjekët specialistë analizuan me kujdes çdo ind dhe organ. Ata konstatuan nxirje të mushkërive dhe arritën në përfundimin paraprak se shkak i vdekjes është Tromboembolia ose bllokim i gjakut në mushkëri. Ata thirrën edhe familjarët që ta shihnin me sytë e tyre këtë ndryshim që kishte pësuar mushkëria.

Çfarë është tromboza e mushkërisë. A ka shpëtim dhe pse nuk u përcaktua më parë nga mjekët?
Tromboza e mushkërisë është një sëmundje që ka shpesh fund fatal. Është njëlloj si bllokimi i gjakut në tru apo zemër. Në Amerikë vdesin mesatarisht 1.5 milion vetë në vit nga kjo sëmundje. Gjithashtu specialistët dyshojnë se kjo anomali mund të ketë qenë edhe e lindur. Por gjithsesi i përket ekspertizës mjeko-ligjore ta thotë fjalën e fundit.

Familjarët pretendojnë se nuk është treguar kujdesi i duhur dhe se është rënduar pas operacionit
Kjo nuk është e vërtetë. Pas operacionit ajo ishte shumë mirë dhe ka komunikuar me ata. Kujdesi ka qenë maksimal nga i gjithë personeli.

Çfarë po bëhet aktualisht me mjeken? A është pezulluar nga detyra?
Ajo është nga mjeket më të mira që kemi. Po vazhdon punën normalisht. Mësuam me habi që ka nisur një hetim. Por është Instituti i Ekspertizës Mjeko-Ligjore që do të përcaktojë shkakun e vdekjes dhe pastaj do të dilet në përfundimin nëse ajo ka pasur faj apo jo. Siç ua shpjegova ajo nuk ka kryer asnjë mjekim të gabuar që mund të akuzohet për këtë vepër penale.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb