TIRANE – Rreth dy vjet nga vdekja tragjike e 11-vjeçarit Denis Almadhi, teksa i nënshtrohej një operacioni estetik në sy nga një grup mjekësh irlandezë, familjarët e të ndjerit akuzojnë drejtpërdrejt prokurorin e çështjes Kol Hysenaj dhe oficerin e policisë gjyqësore Arges Xhepa për kompromentim flagrant të provave dhe fakteve në dosjen hetimore.

Një ditë pas reagimit të familjarëve në “News24” , Drejtoria e Standardeve Profesionale ka kallëzuar penalisht oficerin e policisë gjyqësore, Arges Xhepa për falsifikim të provave për çështjen e Denis Almadhit. Mësohet se oficeri Xhepa dyshohet se ka falsifikuar të dhënat e sistemit TIMS për mjekun anestezist irlandez Kevin Clarkson, i cili në dosje rezulton të mos ketë hyrje- dalje në Shqipëri.

Policia i ka dërguar prokurorisë raportin e rregullt të sistemit TIMS, ndërsa kreu i policisë Artan Didi ka firmosur përjashtimin e oficerit të policisë, Arges Xhepa.

Në raportin e rregullt të sistemit TIMS provohen të gjitha hyrje-daljet e mjekut Kevin Clarkson në Shqipëri. Sipas këtyre të dhënave mjeku 53-vjeçar ka hyrë për herë të fundit me datën 06.11.2012 nga Rinasi ka kryer me datën 07 ndërhyrjen kirurgjikale estetike tek i mituri dhe është larguar po nga ky aeroport tre ditë më vonë me datën 08.11.2012.

Një ditë më parë, Prokuroria e Tiranës tha se është i pavërtetë pretendimi i familjarëve që të dhënat e TIMS janë falsifikuar. “Familjarët e Denis Almadhit e kanë ngritur pretendimin disa herë dhe deklarojmë se të dhënat e TIMS janë paraqitur në Gjykatë. Në këto të dhëna rezulton se mjeku Clarkson ka hyrë dhe ka dalë në Shqipëri”.

Aktualisht në gjykatën e Tiranës po zhvillohet procesi gjyqësor në ngarkim të dy mjekëve irlandez Gerald Fahy 60 vjeç Kevin Clarkson 53 vjeç që akuzohen për mjekim të pakujdesshëm ndaj 11-vjeçarit. Gerald Fahy e Kevin Clarkson akuzohen për mjekim të pakujdesshëm.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: