Nga: Arbër Sulo*

TIRANE- Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion të Sh qipërisë ka denoncuar në Prokurorinë e Tiranës 4 mjekë të Institutit të Mjekësisë Ligjore. Kallëzimi ka marrë shkas nga dyshimet e familjarëve dhe të shoqatës në fjalë, sipas tyre të bazuara në prova se 16-vjeçarja Kostandina Anagnosti, e cila ndërroi jetë në nëntor të vitit të kaluar, është vrarë. Ndërkohë që mjekët e kanë konsideruar vdekjen e minorenes si natyrale. Mësohet se tri ditë më parë, shoqata e Avokatëve i është drejtuar prokurorisë së kryeqytetit, duke kërkuar procedimin penal të: Prof. Dr. Elmas Shaqirit, Dr. Zija Ismailit, Dr. Admir Sinamatit dhe Prof. Fatos Haritos, ekspertë pranë IML. Në denoncimin e bërë në organin e akuzës, përfaqësuesit e shoqatës citojnë se katër mjekët kanë shpërdoruar detyrën duke përpiluar akte ekspertimi të rreme, kanë fshehur provat me dashje dhe i kanë prishur ato si dhe kanë dhunuar kufomën.

DENONCIMI
Në kallëzimin e bërë nga Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion thuhet se: “Më datë 15 nëntor 2014, në Sarandë ka vdekur në rrethana misterioze Kostandina Anagnosti, 16 vjeçe. Vajza ka kaluar disa herë kufirin grek e pashoqëruar nga prindërit, për arsye se ata kanë qenë të ndarë dhe kujdestarinë e saj e kishte marrë nëna e vajzës, Antigoni Anagnosti. Nga ana e saj, nëna, në kundërshtim me ligjin, pa marrë miratimin e të shoqit, e kishte dërguar vajzën në një nga shtëpitë e fëmijës në Greqi. Më datë 14 nëntor, vajza ka kaluar pikën kufitare doganore e shoqëruar nga personi i quajtur Spiro Papa, por pa prokurën e asnjërit prej prindërve të saj”. Nga deklarimet e tij, Papa ka deklaruar se vajzën e kishte dërguar te gjyshja e saj në fshatin Dërmisht të Sarandës. Ndërkohë, në kallëzim përshkruhet itinerari i ndjekur nga 16-vjeçarja në datën 15 nëntor, deri në orën 12:30, kur e shoqëruar nga Spiro Papa u largua në drejtim të Janinës pa ndaluar askund. Në fshatin Metoq, 3.5 km nga Saranda, sipas deklaratës së Spiro Papës dhe sipas policisë, vajza humbi ndjenjat dhe nuk u përmend më. Spiro Papa, deklaron se vajza pati dridhje në trup dhe menjëherë humbi ndjenjat. Prandaj, sipas tij, ata u kthyen menjëherë për në urgjencën e spitalit të Sarandës. Pas mbërritjes në spital, vajza ishte e pajetë dhe vdekja e saj u konfirmua sipas kartelës klinike me nr. 11717, e vitit 2014. Kjo kartelë mban nënshkrimin e mjekut Th.Çavo. Sipas familjarëve, duke pasur parasysh se në spitalin “Petro Nako” të Sarandës, vajza ka arritur e vdekur në orën 15:30, lindin dyshime të shumta për vonesën kohore, sepse distanca nga vendi i ngjarjes deri në spital është vetëm 3,5 kilometra. Pra, kanë lindur dyshimet për vdekjen e saj, për arsye se koha prej tri orësh për të përshkruar 3.5 kilometra nuk justifikon veprimin. Sipas procesverbalit të këqyrjes së kufomës nga mjeku, në prani të oficerit të policisë gjyqësore, thuhet në mes të tjerave, se në anën e pasme të qafës, në të djathtë, vihen re dërmishtje në ngjyrë të kuqe, me gjatësi 7 dhe gjerësi 3 centimetra. Ndërsa, në anën e majtë, vihen re dërmishtje të çrregullta me përmasa 2 x 2 centimetra. Gjithashtu, në sytë e viktimës sklerat e syrit janë të bardha. Kjo lë të dyshohet se shkaku i vdekjes nuk mund të jetë ai që deklarohet nga mjekët, pra, nuk mund të jetë hemorragjia cerebrale. Në krahun e djathtë i është gjetur një age fleksibël që është e lidhur me leukoplast.
EKSPERTIZA
Më 16 nëntor të vitit 2014, pas vdekjes, është kryer akti i ekspertimit me numër 513, nga eksperti Elmaz Shaqiri i IML-së. Sipas ekspertizës së Elmaz Shaqirit, rezulton se vdekja ka ardhur si rezultat i arrestit kardiak, ndalimit të punës së zemrës në terren të hemorragjisë difuze, të shprehur poshtë cipave të trurit, në brendësi të trurit dhe edemës së trurit. Sipas Shoqatës së Avokatëve Antikorrupsion, “çudia ka ardhur më pas, kur nga ana e ekspertit, për të mbuluar të vërtetën dhe që mos të ketë mundësi asnjë mjek tjetër të hetojë shkakun e vdekjes, janë zhdukur truri dhe mitra. Më vonë, me vendimin e datës 2.2.2015 është kërkuar riekspertimi nga mjekët: Dr. Zija Ismaili, Dr. Admir Sinoimati dhe Prof. Fatos Harito, të cilët kanë kryer aktin e ekspertimit me numër 510 (akti i mëparshëm mban numrin 513 ndërsa i dyti 510). Sipas tre ekspertëve, nga ekzaminimi mikroskopik i mitrës nuk u konstatua hemorragji, por konçestion i vazave të gjakut (lindin dyshimet lidhur me aktin e ekspertimit, se mitra dhe truri nuk kanë pasur se ku të gjendeshin, pasi janë zhdukur qysh më parë në mënyrë misterioze”. Faktet denoncuese vijojnë më tej, me ekspertimin e kryer nga mjekët grekë. Me kërkesën e babait u është kërkuar autoriteteve greke që para varrimit t’i bëhej një ekspertim në spitalin e Janinës. Ky ekspertim u bë nga mjeku ligjor grek Theodhori Vujukllaqis, më 17 nëntor të vitit 2014. Sipas ekspertit grek, shkaku i vdekjes është i papërcaktuar, për arsye të heqjes së organeve bazë nga autopsitë e mëparshme. Sipas tij, nuk u gjendën truri, truri i vogël, laringu, trakeja, bronket, ezofagu, stomaku, mbiveshkorja e majtë, organet gjenitale të brendshme dhe pothuajse më shumë se gjysma e zemrës. Në kampionet e lëngjeve biologjike, nëpërmjet një analize toksikologjike, u zbulua lidokainë, me përqendrime mjaft të larta krahasuar me përqendrimet kurative. Sipas mjekut, kjo lë për të dyshuar se në trupin e vajzës përpara vdekjes janë kryer injeksione me anestezi, si lidokainë. Nga kjo dyshohet se vajza ka qenë shtatzënë dhe ka kryer një abort të sforcuar në një nga klinikat. Me kërkesën e kryer nga Instituti Mjeko-Ligjor i Janinës, i cili ka kërkuar nëpërmjet ambasadës greke për të vënë në dispozicion provat dhe për të dalë në konkluzion më të saktë, nga Instituti shqiptar i Mjekësisë Ligjore janë vënë në dispozicion kampione të gjakut dhe pjesë të organeve. Meqenëse ekspertët grekë nuk kanë arritur në konkluzionin për të bërë ekzaminimin e këtyre kampioneve të ardhura nga Shqipëria, pasi këto kampione janë dëmtuar deri në degradim, dyshimet e Institutit të Mjekësisë Ligjore të Janinës i kanë detyruar ata të kërkojnë bërjen e analizës së ADN-së, me qëllim për të vërtetuar nëse kampionet e ardhura nga Shqipëria i përkasin viktimës Kostandina Anagnosti. Sipas ADN-së rezulton se kampionet e gjakut janë të njëjta. Ndërsa, për pjesët e tjera të trupit dhe organet e brendshme nuk rezultojnë të njëjta. Sipas kallëzimit të shoqatës, “kjo do të thotë se veprimet e kryera nga ekspertët shqiptarë janë bërë me dashje, për të fshehur të vërtetën e ngjarjes së datës 15 nëntor 2014, ku humbi jetën Kostandina
Anagnosti”.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: