SARANDË- Gjykata e Sarandës ka vendosur sot 45 ditë burg me afat për Ermal Fatajn, i akuzuar për vdekjen e turisten ruse 15-vjeçare Ksenia Ryok, katër ditë më parë.

Gjykata ka pranuar kërkesën e Prokurorisë, e cila ka kërkuar burg për Fatajn, pasi dyshon se ai është personi që ka goditur për vdekje me mjet lundrues 15-vjeçaren, ndërsa ishte duke u larë në det.

Por nga ana tjetër, vetë 31-vjeçari Fataj nuk e ka pranuar sërish se ka goditur minorenen. Gjykata ka dhënë vendimin me 45 ditë burg, me qëllim pritjen e aktit të ekspertimit.

Fataj ka kërkuar hetim të rregullt dhe drejtësi për ngjarjen. “S’e kam kuptuar nëse e kam goditur, kërkoj hetim të rregullt. Kërkoj drejtësi”, është shprehur 31-vjeçari.

Gjatë këqyrjes së mjetit lundrues policia gjeti në helikën e skafit të Fatajt flokë të cilat janë dërguar për ekspertim në laboratorin e policisë. Vetëm pas krahasimit me flokët e viktimës mund të thuhet nëse ato i përkasin 15-vjeçares.

Ajo që konfirmon grupi hetimor është se turistja e cila ishte duke notuar në det ka humbur jetën si pasojë e goditjeve te forta me mjete prerëse në kokë dhe trup.

Nga verifikimet e policisë rezulton se 15-vjeçarja ka qenë duke u larë me nënën e saj në det dhe në një moment është larguar me not deri në hapësirën ujore ku parkohen mjetet lundruese. Në atë kohë nëna e adoleshentes vërejti një mjet lundrues që kaloi me shpejtësi dhe që dyshohet se goditi me helikë 15-vjeçaren.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb