TIRANE– Bashkia e Tiranës ka nisur rikonstruksionin e plotë të shkollës 9-vjeçare “Vasil Shanto”, ku mësojnë rreth 1300 nxënës. Përmirësimit të klasave dhe pajisjes me laboratorë, po i jepet një vëmendje e veçantë edhe rehabilitimit të hapësirave sportive. Punimet u inspektuan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili siguroi se në shtator shkolla do të jetë gati për të pritur nxënësit.

“Jam shumë i kënaqur që rikthehemi te shkolla “Vasil Shanto”, pas rregullimeve dhe investimit në territoret e jashtme që sot janë kthyer jo vetëm në një aset për shkollën, por për të gjithë komunitetin që kalon kohën e lirë. “Vasil Shanto” është një nga shkollat elitë të qytetit të Tiranës, ndaj po bëjmë një investim i cili të jetë në të njëjtin nivel siç është edhe cilësia e mësimdhënies në këtë shkollë”, tha Veliaj, teksa njoftoi se investimi parashikon ndërhyrje në rrjetin elektrik, nyjet sanitare dhe në instalimin e sistemit të ngrohjes.

Investimi tjetër i rëndësishëm në shkollën “Vasil Shanto” është edhe rikonstruksioni i palestrës, e cila ka pësuar dëmtime ndër vite.

Krahas përmirësimit të infrastrukturës për mësimdhënie, Bashkia e Tiranës do të vijojë mbështetjen me bursa për nxënësit ekselentë. Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se për këtë vit janë buxhetuar 3 mijë bursa për më të mirët.

“Këtë vit kemi buxhetuar 3 mijë bursa për nxënësit ekselentë. Vitin e kaluar kishim rreth 2880, një nismë që u fillua nga Edi Rama kur ishte kryetar bashkie, dhe më vjen mirë që e kemi rikthyer për nxënësit me dhjeta. Kështu që kemi planifikuar më shumë bursa këtë vit, me shpresë që do të kemi më shumë nxënës me dhjeta”, tha Veliaj.

Gjithashtu, kreu i Bashkisë kërkoi mirëkuptimin e tregtarëve, të cilët shesin në ambientet e shkollës “Vasil Shanto”, që të zhvendosen në tregjet e licencuara nga Bashkia dhe që ofrojnë të gjitha kushtet e nevojshme.

Projekti i nisur nga Bashkia e Tiranës parashikon ndërtimin e ambienteve të reja teknike, dhomave të zhveshjes, magazinë, rikonstruksionin total të dyshemesë së palestrës, nyjet sanitare duke përfshirë edhe zëvendësimin e rrjetit të furnizimit me ujë, rrjetit të shkarkimeve, zëvendësimin e pajisjeve hidrosanitare. Gjithashtu, falë këtij investimi do të vendosen dritare dhe dyer të reja duralumini, sinjalizimet, sistemet e mbrojtjes kundër zjarrit si dhe një sistem qendror ngrohjeje. Një kujdes po i kushtohet edhe sistemimit dhe gjelbërimit të territorit të jashtëm.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb