TIRANË- Kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka zhvilluar një dëgjesë sot në Këshillin Bashkiak për të arsyetuar dhe shpjeguar se pse duhet të rritet çmimi i ujit të pijshëm në Tiranë. Para Këshillit Bashkiak, ku mungonin këshilltarët e djathtë, ai tha se kjo është e vetmja mënyrë për të rritur investimet dhe për t’i siguruar Tiranës brenda një periudhe 2-vjeçare 24 orë ujë të pijshëm.

“Orari i shërbimit ka qenë me 7 orë ujë kur e la Basha sot jemi me 13 orë. Maksimumi që kemi arritur të bëjmë është rritja me 85% e furnizimit me ujë. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër si të rrisim investimet. Shumica prej nesh kur hapim çezmën ka ujë. 90% e Tiranës nuk e kupton kur mungon uji sepse kanë depozitat. Zonat e tjera nuk mund t’i heqim depozitat se këto e sigurojnë 24 orëshin. Arsyeja pse nuk ndihet është sepse bëhet furnizimi i depozitave. Në Bovillë klorinim i parametrave evropiane. Në pallate dëmtohet cilësia e ujit në depozita. Pyetja është nëse duhet ta bëjmë 24 orë, dy janë mundësitë, ose të shpikim diçka që se ka bërë askush ose të shohim kush e ka shpikur rrotën. Dy janë shembujt, Korça dhe Pogradeci që e kanë 99 dhe 95 lekë.
Kur shkoi Korça nga 40 lekë në 99 lekë, kur do merrte një kredi nga KFË për rrjetin e ujësjellësit. Sot Korça nuk e ka problem ujin e pijshëm”, deklaroi Veliaj.

Ai tha se ky hap, për të rritur me 20 lekë çmimin e ujit, një rritje më pak se një gazetë është e vetmja mënyrë për të shtuar burimet e ujit, për herë të parë që nga koha e ‘xhaxhit’. Ai përmendi edhe kryetarin e Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, duke i kujtuar çmimin e ujit që është shumë herë më i lartë se në Tiranë, kur ky ujë shitet nga UKT.

“Ne duhet t’u themi qytetarëve që nuk do zgjedhim të ecim me këtë ritëm breshke për 45 vjet, por të kemi guxim dhe të sigurojmë ujin e pijshëm për 2 vjet.
Të kemi guximin e Xhelalit, që fiton 53 lekë pa bërë asnjë punë. Po flasim për rritje 20 lekë, më pak se një gazetë. Sot po lyp Bashkia e Tiranës për atë 20 lekësh. Në momentin që kalojmë këtë BERZH na sjell para. Një burim që do shtohet është në Gurin e Bardhë në Burrel. Ky do jetë burimi i parë që do na shtohet që nga koha e xhaxhit”, tha Veliaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb