NGA MARIGLEN MERTIRI

TIRANE– Edhe pse ka kaluar një muaj e gjysmë nga mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme me fitoren e PS, qytetarët e Tiranës po gjejnë në banesat e tyre një letër falënderuese nga kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Në letrën e tij, kryebashkiaku i Tiranës iu shpreh mirënjohjen dhe thekson rëndësinë e votës së tyre që konfirmoi vijimin e transformimit të Tiranës me mbështetjen edhe të qeverisë.

Në letër, Erion Veliaj specifikon çfarë do të ndodhë me Tiranën gjatë ditëve të verës dhe në vijim, pas mbështetjes që qytetarët i dhanë qeverisë dhe punëve të qytetit si një referendum.

Kjo letër vjen në një moment qetësie, pasi gara ka përfunduar dhe vendimet për atë se çfarë do të ndodhë në kryeqytetin e shqiptarëve gjatë 2 viteve të ardhshme janë vulosur.

Më herët një tjetër letër e kryebashkiakut parapriu zgjedhjet e 25 qershorit, ku ai iu kërkonte qytetarëve të Tiranës mbështetje me votën e tyre për qeverinë dhe qytetin që drejton.

Letra e plotë e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj

Miqtë e mi, Dua të shfrytëzoj këtë moment qetësie kur fjalimet kanë mbaruar, votimet janë mbyllur dhe vendimet janë vulosur, për t’ju falenderuar nga zemra.

Në 25 qershor, më të shumtë se kurrë, ju na dhatë besimin tuaj për të vazhduar punën për transformimin e Tiranës. Qytetaria juaj dhe zgjedhja e vendosur për të ecur në rrugën e nisur më bëjnë të ndihem sa krenar, po aq edhe i përunjur. Askush më shumë se unë nuk është i vetëdijshëm se vota e 25 qershorit ishte një referendum për punën e bërë në Tiranë në dy vitet që shkuan, por edhe një verdikt për atë që duam të bëjmë në dy vitet që do të vinë.

Tirana ka ndryshuar shumë, por ka ende shumë e shumë për të bërë. Ne kemi vijuar punën çdo ditë, edhe gjatë fushatës, edhe gjatë vapës e ditëve të pushimit, dhe do të vazhdojmë me ritme akoma më të larta në muajt e vitet që do të vinë. Sepse falë votës tuaj do të kemi mbështetjen e pandërprerë të Qeverisë dhe Edi Ramës.

Kemi filluar hartimin e planeve për poliqendrat e qytetit. Shumë shpejt do të fillojë puna për terminalin perëndimor që do të lehtësojë trafikun në atë zonë. Do të nisim po ashtu, zbatimin e projekteve për rigjallërimin e Piramidës, Parkut të Madh të Liqenit e Kopshtit Zoologjik, duke ia rikthyer këto hapësira qytetarëve.

Këtë vit të ri shkollor e fillojmë me hapjen e tre shkollave të reja (“Betim Muço”, “Hoxha Tahsin” dhe “Ardian Klosi”) për të vijuar rindërtimin e shkollës “Kosova”, si dhe 17 shkolla të tjera të reja. Paralelisht kemi vazhduar me ritme shumë të larta ndërtimin e këndeve çlodhëse në çdo lagje kur sot numërojmë më shumë se 20 syresh.

Të gjitha këto punë janë produkt i drejtpërdrejtë i votës tuaj, që me vendosmëri ka hapur rrugën për qytetin që nuk do të ndalet. Ndaj, të dashur miq, më lejoni t’ju falenderoj edhe një herë për përkrahjen tuaj të pakursyer dhe për rikonfirmimin e përgjegjësisë e privilegjit për t’ju shërbyer. Më e mira na pret përpara! Forca!”

Juaji me shumë mirënjohje, Erion Veliaj
Faksimile-letra

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: