TIRANE-Përballimi i emergjencave të ndryshme si zjarret, përmbytjet, por edhe aktivitete të tjera me interes publik, si pastrimi apo shërbimi në institucione arsimore dhe të kujdesit social, janë disa nga fushat ku Bashkia e Tiranës ka nevojë për më shumë solidaritet dhe angazhim nga vullnetarët. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shpërndau certifikata mirënjohje për disa nga grupet e vullnetarëve që veprojnë aktualisht në kryeqytet, të cilët kanë ndihmuar me disa prej sfidave që Bashkia e Tiranës është përballur gjatë këtyre dy viteve. Në fjalën e tij, Veliaj falenderoi vullnetarët për kontributin e tyre dhe theksoi se ata duhet të jenë një shembull, kryesisht për të rinjtë, se duhet të jenë solidarë kur qyteti dhe qytetarët kanë nevojë për ndihmë.

Duke përmendur eksperiencat më të mira nga bashkëpunimi me vullnetarët, Veliaj u shpreh se aksioni i pastrimit, por edhe ai për rikonstruksionin e çerdheve dhe kopshteve, treguan se Tirana është një qytet solidar dhe di t’i përgjigjet si duhet nevojave të qytetit. “Mendoja se çështja e pastrimit ishte një mision i pamundur, për të cilin nuk do ndërgjegjësoheshim dot. Kur filluam aksionet e pastrimit vullnetar njerëzit thoshin: ‘Ç’është kjo? Ky po na kthen Enverin. Pse çfarë jemi ne komunistë?’ Po si ka mundësi që të gjitha vendet kapitaliste organizojnë aksione vullnetare për pastrimin e ambienteve publike? Mendoja se ishte mision i pamundur, fillimi ishte pak i vështirë, por sot është bërë më e lehtë që të kemi fushata të organizuara të pastrimit me vullnetarë. Duke filluar nga shtatori, çdo muaj do të kemi një ditë në muaj për një pastrim me themel të qytetit të Tiranës”, tha kryebashkiaku.

thumbnail_Veliaj me vullnetaret (6)

Sipas tij, shembujt e suksesit vlejnë për ta përhapur edhe më shumë frymën e vullnetarizmit. Ndaj, Veliaj prezantoi disa nga projektet ku qytetarët mund të kontribuojnë në mënyrë vullnetare. Nisur nga situata e vështirë që ka shkaktuar moti i nxehtë edhe me zjarret, ai theksoi se është shumë i nevojshëm angazhimi i vullnetarëve për të ndihmuar institucionet dhe mekanizmat shtetërorë në përballimin e emergjencave. “Territori i Tiranës është rritur 25 herë. Një pjesë e madhe nuk është territor urban, pra nga 42 km2 që ka qenë pjesa urbane, kemi shkuar në 1200 km2, që është kryesisht pjesë rurale, malore dhe pyje. Kjo do të thotë se kemi në administrim pafund pyje dhe vetëm në muajin e fundit kemi pasur disa raste të vogla zjarresh”, u shpreh Veliaj.

thumbnail_Veliaj me vullnetaret (3)

Për këtë, ai tha se shërbimi zjarrfikës do të ofrohet edhe në mënyrë vullnetare. “Kemi propozuar që një pjesë e shërbimit zjarrfikës ta ofrojmë me shërbime vullnetare. Kjo funksionon në shumicën e vendeve të BE, ku banorët e lagjes më të afërt trajnohen për të dhënë ndihmën e parë. Sigurisht, jo për të qenë zjarrfikës profesionistë, por për të qenë mjaftueshëm të trajnuar për të ndihmuar në evakuimin e njerëzve, për të dhënë koordinatat e sakta derisa të vijnë profesionistët dhe për të dhënë ndihmën e parë të dikujt që mund të jenë në nevojë rreziku. Ky është një tjetër shërbim që duam ta shtojmë, por duke u bazuar te vullnetarët, duke përdorur shërbimin profesionist që trajnon vullnetarët për raste e nevoja të kësaj natyre”, shtoi Veliaj.
thumbnail_Veliaj me vullnetaret (2)
Kryebashkiaku theksoi se një tjetër shërbim ku mund të kontribuojnë vullnetarët është edhe ofrimi i ndihmës së shpejtë në raste aksidentesh. “Tashmë e kemi një grupim vullnetarësh, quhet Emergency Response Albania (ERA). Ata patrullojnë të gjithë rrugën nga 21 deri në Kombinat, falë ndihmës së një organizate jo përfituese zvicerane që ka trajnuar disa të rinj shqiptarë në infermieri dhe në ndihmën e shpejtë. Por, duam që gjithmonë e më shumë, shumë rrugë të qytetit t’i kemi me patrulla të tilla vullnetarësh. Shpeshherë, nga trafiku, është e vështirë që ambulanca të shkojë në një rrugë ku ka ndodhur aksidenti. Pasja e një sistemi të tillë si me grupin e vullnetarëve ERA, na lejon të japim ndihmën e shpejtë derisa të vijë ndihma profesionale”, nënvizoi kreu i bashkisë. Veliaj ftoi vullnetarët që të angazhohen dhe të japin kontributin e tyre edhe në projektin e mbjelljes së pemëve, që do të vijojë në shtator, për krijimin e Pyllit Orbital. “Projekti i pyllit orbital parashikon mbjelljen e 2 milionë pemëve deri në vitin 2030. Imagjinoni, duhet të mbjellim me dhjetëra mijë pemë në çdo stinë që të kapim këtë target ambicioz. Kjo është e pamundur të arrihet me disa dhjetëra vetë që merren me pastrim-gjelbërimin, por duam edhe ndihmën e vullnetarëve”, tha ai.
Gjithashtu, kryebashkiaku theksoi se ata që merren me vullnetarizëm do të kenë mundësi më të mëdha punësimi në institucionet e Bashkisë së Tiranës, jo vetëm si shenjë mirënjohje.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: