TIRANE– Tirana ka tashmë një produkt të mirëfilltë turistik, që përfaqëson më së miri kulturën, historinë dhe zhvillimin e qytetit. Bashkia e Tiranës ka shpallur sot 4 fituesit e konkursit për dizenjimin e suvenirëve, ku morën pjesë më shumë se 40 artistë që paraqitën punimet e tyre për mënyrën se si Tirana duhet t’u prezantohet turistëve të huaj. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi se kishte ardhur koha që edhe Tirana të ketë suvenirët e saj, që përfaqësojnë më së miri qytetin në të gjitha dimensionet kulturore dhe historike, e që mund t’i rezistojnë kërkesave të tregut dhe pritshmërive të turistëve që vizitojnë kryeqytetin.

“Kur pamë se turizmi i kryeqytetit përfaqësohej nga suvenire kineze menduam ta zgjidhim duke krijuar një konkurs për të gjithë ata që me pak kreativitet mund të sjellin gjera të bukura”, tha Veliaj. Duke theksuar se qëllimi i këtij konkursi është rritja e tregtueshmërisë së suvenirëve dhe diversifikimi i tyre, duke lidhur dizenjimin dhe kompozimin me tendencat tregtare bashkëkohore, si dhe me traditën dhe trashëgiminë natyrore, historike dhe kulturore të Tiranës, për ta bërë atë më tërheqës për vizitorët dhe turistët që vizitojnë qytetin, ai theksoi se pavarësisht faktit që fitues u shpallën vetëm 4 punime, të gjithë pjesëmarrësit e tjerë dhe veprat e tyre do të kenë mundësi që t’i përmirësojnë ato dhe ti bëjnë pjesë e tregut.

thumbnail_Veliaj gjate ceremonise se ndarjes se cmimeve fituese per konkursin e produktit turistik (2)

Kryebashkiaku deklaroi se vetëm në 6 muajt e parë të këtij viti numri i turistëve që kanë vizituar kryeqytetin është rritur me 2.4 herë. “Për ne turistët nuk janë një potpuri fotosh në instragram, por një mënyrë jetese. Tirana është një qendër financiare jo vetëm për Shqipërinë, por për shqiptarinë. Në thelb është një vend ku shërbehet, ka një tregti të zhvilluar dhe besoj një nga burimet më të mira dhe më të sigurta në të ardhmen është turizmi. Vetëm në gjashtë muajt e parë është rritur 2.4 herë numri i turistëve që kanë vizituar Tiranën”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkië deklaroi se një impakt pozitiv në rritjen e numrit të turistëve ka dhënë dhe përmirësimi i infrastrukturës dhe transformimi që ka pësuar në tërësi qyteti. “Paska një impakt sheshi, Pazari i Ri, “Reja”, këndi i lodrave te Liqeni, dhe më rezulton se është shumë i madh edhe numri i turistëve te brendshëm. Për sa kohë që INSTAT-i, operatorët turistikë po na promovojnë, dëshmon që është rritur fluksi. Si do sigurohemi që sa më shumë para të mbeten në Tiranë? Një përgjigje konkrete është ajo që po bëjmë sot, një prodhim ose një inkurajim i prodhimit të suvenirëve që bën para në artizanatin shqiptar dhe që sigurisht e bëjnë më të këndshme dhe eksperiencën”, u shpreh Veliaj.

thumbnail_Veliaj gjate ceremonise se ndarjes se cmimeve fituese per konkursin e produktit turistik (1)

Ai deklaroi se krahas rritjes së stacioneve që mund të vizitohen në Tiranë nga turistët është rritur edhe kërkesa për shtretër. Kryebashkiaku deklaroi se brenda katër viteve do të plotësohet edhe kjo kërkesë e turistëve për t’u akomoduar. “Kjo është arsyeja që ne do të vazhdojmë me inkurajimin e hotelerive në Tiranë. Do të jenë dhe dy brande hotele të tjera, shumë të famshme, të cilat janë në prag të finalizimit të projekteve të tyre të Tiranës. Kemi dhe disa aplikime të tjera për hoteleri në zonën e bulevardit të ri, ndaj besoj se oferta e shtretërve të mangët në qytetin e Tiranës, brenda 4-vjeçarit do të përmbushet”, u shpreh ai.
thumbnail_Veliaj gjate ceremonise se ndarjes se cmimeve fituese per konkursin e produktit turistik (3)
Kryetari i Bashkisë deklaroi se një punë e mirë është bërë dhe për përgatitjen e njerëzve të aftë për këtë industri, projekt i cili nisi katër vite me parë me shkollat profesionale të turizmit. “Është mundësi fantastike punësimi. Ka shumë të rinj sot që punojnë në industrinë e hotelerisë. Na duhet pak kohë të avancojmë me shkollat tona profesionale, por më vjen mirë që për herë të parë ka radhë në shkollat tona profesionale. Mbaj mend para katër vitesh kur filluam shkollat profesionale, njerëzit menduan se ishte një lloj paraburgimi për katranosët. Sot nuk është kështu. Sot secili që ka marrë një arsim profesional ia ka parë dukun se çfarë do të thotë të kesh një zanat”, nënvizoi Veliaj.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb