TIRANE-Në vijim të turit “Tirana – dy vjet zgjuar”, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u ndal në Njësinë Administrative Nr. 2, ku zhvilloi një takim me banorët e zonës dhe bëri bilancin e punëve të kryera në pjesën e parë të mandatit. Kryebashkiaku theksoi se punët e bëra në të gjithë Tiranën tregojnë më së miri rëndësinë që pati vota e 2015-ës, që solli ndryshimin pas 4 viteve gjumë të administratës së shkuar. Ai tha se është shumë e rëndësishme për pushtetin vendor që të ketë si partner të tijin qeverinë, e cila ta mbështesë jo vetëm me projektet, por edhe t’i financojë ato, siç ka ndodhur në këto dy vite në Tiranë.

“Secili nga investimet e mëdha apo të vogla që janë bërë në Tiranë, nuk do të bëheshin dot pa mbështetjen e qeverisë qendrore dhe Edi Ramës. Fati ynë i madh është që kryeministri ka qenë vetë kryetar bashkie dhe jo vetëm ka lënë një gjurmë të jashtëzakonshme në Tiranë, por kemi parë të dyja epokat. Kemi parë çfarë do të thotë të kesh një kryetar bashkie që lejohet të punojë dhe çfarë do të thotë të kesh një kryetar bashkie, i cili pengohet në mënyrë konstante nga qeveria, ashtu siç ndodhi me Edi Ramën kur i sabotuan punët publike si mbikalimi i Zogut të Zi, i cili u bë pluhur e hi. Të njëjtën gjë me nënkalimin, pastaj bënë të njëjtën gjë me projektin e sheshit Skënderbej”, theksoi Veliaj.

Ai evidentoi nevojën që në këto ditë të mbetura deri në ditën e zgjedhjeve çdo individ me të drejtë vote të bindet për të shprehur vullnetin e tij me votë. Veliaj theksoi se zgjedhjet e 2011 treguan se sa rëndësi ka çdo votë për të shpëtuar Shqipërinë nga kthimi prapa. “Unë e mbaj mend se çfarë ndodhi në 2011 dhe shijen që kisha kur historia përfundoi me 10 vota, e mandej deformimin e Tiranës dhe shkatërrimin e qytetit me plehrat mullar. Një gjë i kam premtuar vetes: Do të bëj çdo gjë në fuqinë time që ajo ditë të mos përsëritet më. Një nga arsyet që unë mbështes bindshëm fort Edi Ramën është që të respektoj veten, të respektoj këtë qytet. Çdo votë për Edi Ramën, është një votë për vazhdimin e punëve në Tiranë. Në këto katër ditë, nëse ka një mision, një akt patriotik që mund të bëjmë për qytetin ku jetojmë, ku jemi lindur, ku jemi rritur, kemi krijuar familje, që të mos ngelemi për 10 vota, secili prej nesh ka një detyrë: Të bëjë dhjetë vota për PS dhe Edi Ramën. Dhjetë vota për punët në Tiranë, për progresin në Tiranë, dhjetë vota për çerdhe, kopshte, shkollat e reja”, shtoi kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Duke u ndalur te investimet e kryera në këtë njësi, Veliaj u shpreh se një nga punët më të rëndësishme të bëra në këtë zonë është rikonstruksioni i Liceut Artistik, një investim nga i cili nuk përfiton vetëm kjo njësi, por e gjithë Shqipëria. “Një ndër kryeveprat e punëve që kemi bërë, pavarësisht se njerëzit vlerësojnë më shumë sheshin “Skënderbej”, këndin e lojërave te Liqeni, Parkun Olimpik dhe Pazarin e Ri, është rikonstruksioni fantastik i liceut “Jordan Misja”. Besoj se morëm një nga shkollat më të degraduara të Republikës së Shqipërisë, vendi që ka prodhuar më shumë talente Made in Albania, dhe sot i kemi kthyer dinjitetin, siç na sjellin dinjitet të gjithë yjet e Shqipërisë sa herë që performojnë jashtë vendit”, tha ai.

Veliaj u shpreh se një tjetër investim me vlerë kombëtare në këtë njësi është edhe rikonstruksioni që po i bëhet shkollës së baletit. “Këtë shtator kemi lajm të mirë edhe për një shkollë tjetër kombëtare, atë të Baletit, e cila thuajse është rikonstruktuar. Ne themi o sa mirë me qenë shqiptarë, por të shihje se si mund të bëhej balet aty, ku shiu që binte jashtë futej brenda në parket, ishte ndoshta pamja më e dhimbshme që mund të kem parë ndonjëherë. Shkoni ta shikoni sot, në shtator e hapim, lum ata që do të mësojnë të bëhen balerinë në shkollën koreografike të Tiranës!”, deklaroi Veliaj. Sa i përket infrastrukturës arsimore, Veliaj solli në vëmendje investimet janë kryer apo që po bëhen në shkollën “Fan Noli”, “Hoxha Tahsin”, “Kosova” apo edhe te “Shkolla e Kuqe”.

Ai shtoi se tani që një pjesë e projekteve madhore në kryeqytet kanë përfunduar ose janë drejt përfundimit, fokusi do të përqendrohet te punët e vogla në nivel kapilar në çdo rrugë dhe lagje. “Projektet e mëdha janë shumë të rëndësishme, por unë besoj se njerëzit nuk jetojnë në sheshin “Skëndërbej”, aty kalojnë kohën, por nuk flenë në shesh, kalojnë kohën te Pazari i Ri, por nuk flenë aty, ndaj besoj se me ndërhyrjet që kemi bërë nëpër lagje më vjen mirë që blloku tek ATSH-ja ka dalë një nga blloqet më model. Më vjen mirë gjithashtu që pas bllokut tek ATSH-ja i gjithë sistemi te rruga “Vllazën Huta”, pas Ministrisë Jashtme, gjithashtu është një histori suksesi”, u shpreh Veliaj.

Teksa theksoi faktin se Basha në 4 vite si kryetar i Bashkisë së Tiranës nuk bëri asgjë as për më të vegjlit e qytetit, Veliaj shtoi se çdo votë për të është votë për gjendjen e mjerueshme në të cilat ai i la çerdhet dhe kopshtet në Tiranë. “Kur dëgjoj këtë kandidatin për kryeministër, Lulin, i cili veçse fjeti për 4 vjet, të thotë që do i ushqej të gjithë fëmijët në çerdhe dhe kopshte, i kujtoj se ato janë detyrë e kryetarit të Bashkisë. Unë e kuptoj që ai mund të gënjejë jashtë Tirane, por në Tiranë nuk gënjen dot sepse njerëzit e dinë që çerdhet dhe kopshtet i ka bashkia dhe nëse Lulzim Bashës i digjej shpirti për çerdhet dhe kopshtet, kishte 4 vjet për të na treguar çka mund të bënte në Tiranë. Ama, nëse modeli i gjumit që na serviri në Tiranë për 4 vjet, është edhe modeli që na propozon për Shqipërinë, atëherë çdo votë për Lulzim Bashën është një votë për mykun dhe për kanalet e ujërave të zeza që bien mbi kokën e fëmijës tuaj në çerdhe e kopshte. Ky ishte standardi që gjetëm”, tha Veliaj.
Një tjetër investim nga e cila do përfitojë Njësia 2 është edhe ai për ndërtimin e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” dhe infrastruktura ndihmëse, siç është parkimi nëntokësor, si dhe kthimi i gjithë zonës në pedonale. “Te sheshi “Italia” do të kemi një tjetër parking nëntokësor. Duke qenë se po ndërtohet stadiumi, kemi nevojë për më shumë hapësira nëntokë. Në vend që ta zëmë piacën me makina, po ndërtojmë dy kate parkim nëntokë, që sheshi “Italia” t’i rikthehet publikut për ta aksesuar të gjithë hapësirën përreth stadiumit “Qemal Stafa”, i cili ju premtoj, jo vetëm do jetë një stadium cilësor, por plani i bashkisë është që e gjithë hapësira rreth stadiumit të ketë 7 ditë në javë aktivitete, për t’i dhënë edhe atij komuniteti aty një hapësirë pedonale”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi se për sa kohë një individ nuk mundi të bëj dot punën si kryetar i Bashkisë së Tiranës, nuk mund ta bëjë dot punën e qeverisjes së gjithë Shqipërisë. Ndaj, ai kërkoi mbështetjen e qytetarëve për votuar të dielën vazhdimësinë e qeverisjes, si një garanci për vijimin edhe të punëve në Tiranë. “Nëse nuk bën dot Bashkinë e Tiranës, nëse për katër vjet ia fut gjumit në Tiranë, nëse për 4 vjet është shumë e vështirë të gjesh ku u ngul një gozhdë në qytetin e Tiranës, atëherë sigurisht që nuk e bën dot kryeministrin e Shqipërisë, ndaj unë e them hapur gjithë ditën dhe natën: 100 herë të më pyesin, 100 herë jap të njëjtën përgjigje, vetëm Edi Rama mund ta mbështesë Tiranën!”, u shpreh Veliaj.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb