VENEZUELE- Mbi 7 milionë votues kanë marrë pjesë në një referendum jozyrtar të organizuar nga opozita në Venezuelë, bën të ditur agjencia e lajmeve BBC, teksa i referohet një grupi akademikësh monitorimi në vend. 98 përqind e pjesëmarrësve në votime votuan kundër asamblesë së re të propozuar nga presidenti Nicolas Maduro, dhe mbështeten thirrjen për zhvillimin e zgjedhjeve të reja para përfundimit të mandatit të tij në 2019-n.

Gjithashtu ata votuan që ushtria të mbrojë kushtetutën aktuale. Referendumi jozyrtar i cili u mbajt të dielën, u zhvillua nëpër qendra votimi të improvizuara nëpër teatro dhe fusha sporti. Plani i qeverisë është krijimi i një asambleje të re duke rrëzuar kështu asamblenë kombëtare dhe duke shkruar një kushtetutë të re.

Një infermiere është qëlluar për vdekje teksa po votonte në kryeqytetin Karakas. Një person me motor hapi zjarr duke i marrë jetën infermieres në fjalë dhe duke plagosur tre të tjerë. Opozita në Venezuelë ka fajësuar një bandë paraushtarake për ngjarjen në fjalë.

Sakaq, një gazetar u rrëmbye dhe u rrah nga disa persona mbështetës të qeverisë, por arriti të shpëtonte. Mbi 100 persona kanë humbur jetën në trazirat në Venezuelë që prej muajit prill.

Një votim zyrtar do të mbahet në 30 korrik për asamblenë e re dhe rishkrimin e kushtetutës dhe shpërbërjen e institucioneve shtetërore.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: