KOSOVË- Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli ka thënë se pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve koalicioni PDK-AAK-Nisma do t’i formojë institucionet e veta si dhe kryeministër i shtetit do të jetë Ramush Haradinaj.

Veseli në një intervistë për KosovaPress ka folur për procesin zgjedhor, formimin e institucioneve, zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor por edhe për reformat që do t’i bëjë në parti.

Përkundër rezultatit të zgjedhjeve ku koalicioni që udhëheq partia që ai drejton, Veseli thotë se kjo parti dhe partnerët e saj janë fitues të këtyre zgjedhjeve.

Madje ai premton se institucionet do të formohen shumë shpejt, menjëherë pas certifikimit të rezultateve.

“Unë besoj se shumë shpejt pas 25 qershorit kur pritet që t’i kemi rezultatet do të kemi formimin e institucioneve tona, Qeverinë, Kuvendin në rend të parë e cila është shumë e qartë që i takon fituesit të koalicionit, por në të njëjtën kohë edhe Qeverisë . Këto kanë qenë rregullat të cilat i kemi pasur, i kemi ditur secili para 11 qershorit në bazë të cilave rregullave jemi sjellë edhe para 11 qershorit, dhe duhet të mendojmë edhe më tepër për interesat e qytetarëve të formohen institucionet , t’i jepen përparësi implementimit të programit të cilat kemi premtuar në mënyrë që mos të kemi bllokada të cilat nuk i nevojiten këtij vendi”, tha Veseli.

Edhe pse PAN-i nuk do t’i ketë më shumë se 39 deputetë në Kuvend, gjithnjë sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, Veseli nuk tregon se ku do t’i marrin votat për ta votuar Qeverinë dhe Kuvendin.

Sipas tij, për këtë do të flasin pas 25 qershorit, datë kjo për të cilën beson se edhe do të ketë certifikim nga ana e KQZ-së.

“Unë besoj shumë që pas 25 qershorit do të flasim edhe për çështjet e numrave. Qeveria e Republikës së Kosovës në krye me kryeministrin Ramush Haradinaj do të jetë qysh ditët e para e krijuar”, tha Veseli.

Si kryetar i partisë e cila ka udhëhequr me koalicionin me AAK-në dhe Nismën, Veseli nuk e thotë se hyrja në koalicion me këto dy parti e ka penalizuar në zgjedhje e cila për dallim nga viti 2014 ka rënë dukshëm.

Sipas tij rregullat e lojës kanë qenë të ditura paraprakisht nga secila parti politike e edhe nga PDK-ja dhe kjo ka qenë arsye kryesore pse janë hyrë në koalicion.

Megjithatë Veseli thotë se PDK për këto vite e ka mbajtur barrën e të qenit në pushtet dhe rrjedhimisht sipas tij ka qenë edhe një adresë politike deri më 11 qershor.

“Për rreth një dekadë PDK-ja e ka bartur privilegjin e të qenit në pushtet por në të njëjtin kohë edhe barrën e të qenit në pushtet duke qenë edhe në aspektin e asaj shpeshherë se çfarë nuk është arritur jo vetëm atë që nuk është arritur dhe atë çfarë nuk është arritur që të jetë një adresë politike në Kosovë. E ka bartur këtë barrë në pjesën deri më 11 qershor, pas 11 qershorit jemi në një situatë kur kemi një mandatar të cilin PDK i ka jep mandatin qysh para 11 qershorit ka fituar ky koncept me 11 qershor dhe tash duhet ta implementojmë këtë pjesë”, tha Veseli.

Kryetari i PDK-së komenton edhe rritjen që ka marrë Lëvizja Vetëvendosje në këto zgjedhje e cila e vetme është radhitur e dyta pas koalicionit PAN.

Sipas Veselit ky rezultat është i qytetarëve dhe si PDK e pranojnë atë.

 

Ish kryeparlamentari nuk tregon nëse do të jetë sërish kandidat për kryetar të Kuvendit. Sipas tij postet nuk janë me rëndësi pasi që siç thotë ai PDK-ja nuk e ka prioritet vetëm të qenit në pushtet.

“Pas formimit të Qeverisë me kryeministër Ramush Haradinaj do të dëshmohet se nuk e ka prioritet të qenit vetëm pushtet me çdo kusht e cila veçanërisht oponentët tanë nga hidhërimi për shkak të këtij suksesi qe 4 palë zgjedhje duke fituar janë duke u munduar që të na bëjnë përgjegjës dhe adresues se gjoja se PDK vetëm pushtetin e ka…..Kauza jonë nuk është vetëm të qenit në pushtet kauza jonë është me i shërbyer këtij vendi thjesht atë e kemi bërë çdo herë e kemi dëshmuar në të njëjtën kohë do ta dëshmojmë edhe në të ardhmen por çka është kryesore Kosova po ec unë dua t’i shoh pjesët pozitive.

Ka një progresivitet të jashtëzakonshëm politik, forcimin e sovranitetit nuk duhet të ndahemi nga orientimi jonë pro perëndimor mund të na duken llokume të mirë orientimi nga Lindja do të jenë shumë të hidhur për të ardhmen e këtij vendi në qoftë s e dikush tenton ta zhvendos në një orientim i cili nuk është ai i cili është edhe implementim i dëshirës dhe vullnetit të qytetarëve tanë. Orientimi kah Perëndimi, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, integrimi në Bashkimin Evropian kjo do të jetë agjenda e PDK pas certifikimit të rezultateve më 25 qershor, të implementohet agjenda pro perëndimore e Kosovës e në të njëjtën kohë pjesa ekonomike përmirësimi i jetës sociale të qytetarëve tanë por jo çdo herë fokusi vetëm kush ka me qenë në pushtet kush ka me qenë kryeministër”, tha Veseli.

Veseli në këtë intervistë ka folur edhe për rezultatin jo të mirë sidomos në Drenicë e që sipas tij nuk është e vërtetë se Drenica nuk e ka votuar PDK-në. Sipas tij, në këtë regjion që ka dhënë shumë për vendin e që asnjëherë nuk kanë depërtuar partitë tjera përveç PDK-së.

Por ai arsyeton edhe rënien e votave duke thënë se me gjithë rezultatet pozitive nuk kanë mundur të arrijnë të plotësohen të gjitha kërkesat e bashkëqytetarëve.

Veseli pranon se ende ka papunësi të madhe, ndërsa në të njëjtën kohë zhvillimi ekonomik ende nuk është në atë fazën e munguar

Veseli tha se pas formimit të institucioneve do të fillojë edhe reformat në parti por që sipas tij nuk do të ketë revolucion, por do të ketë revolucion progresiv pozitiv.

“Disa që kanë jep kontribut shumë mund të japin kontribut edhe të vazhdojnë të japin kontribut, por kemi edhe një armatë të tërë të njerëzve të cilët presin për angazhim të cilët kanë vullnet kanë çka i japin këtij vendi dhe PDK-së, pse t’i lëmë ata jashtë ….Ajo çka është kryesore PDK është një parti e cila është shumë stabile në të njëjtën kohë e cila reflekton edhe në momentet kur i duhet më së shumti vendi reflekton më së miri .

Nuk kemi nevojë ta injorojmë askënd as ta eliminojmë….Ajo çka është kryesore është shteti i pavarur dhe sovran, Serbia më kurrë në Kosovë shteti i orientuar në partneritet me SHBA të përjetshëm në Bashkim Evropian, integrimi , ekonomia njerëzit e ri kanë nevojë për integrim.

Kini parasysh mos mundësia e integrimit mund t’i çoj njerëzit e ri jashtë vendit a është pozitive kjo?Jo. Në të njëjtën kohë mos integrimi njerëzve të rinë në tregun e punës çon edhe në frustrim. A është pozitive kjo? Jo. Kjo do të jetë orientim nuk kemi asgjë për të zbuluar ajo çfarë kam bërë vendet e zhvilluara do ta bëjmë. Ky ka qenë edhe koncepti i ‘Fillimit të ri’.

‘Fillimi i ri’ nuk ka përfunduar më 11 qershor e kam thënë disa herë ai do të fillon pas 11 qershorit edhe ajo kauzë pavarësisht situatës do të zhvillohet këtë pjesë më së shumti do ta zhvillon me pjesën e partisë sonë për arsyeje se ka mundësi të ecim përpara ky vend ka potenciale të jashtëzakonshme unë jam tepër optimist pavarësisht se mund të krijohet pesimizmi i panevojshëm”, ka thënë Veseli.

Sa i përket paralajmërimeve të Nismës se në Kuvend do të veprojë e vetme si grup parlamentar Veseli tha se kur kanë dal si partneritet i koalicionit kanë pasur marrëveshje të brendshme, me identitete të ndara, megjithëse sipas tij fillimisht do ta implementojnë rezultatin zgjedhor.

Kryetari i PDK-së beson se në zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor, PDK do të dalë shumë më fuqishëm ku sipas tij partia që ai udhëheq është pjesë garantuese e stabilitetit politik dhe ekonomik të këtij vendi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: