Nga: Mimoza KOÇIU

Partia Demokratike ka njohur ngrirjen e funksioneve politike si gjest ndëshkues, nga ish-kryetari Sali Berisha, që ngriu dikur Spartak Ngjelën e Filip Çakulin, por nuk kishte provuar vetëngrirjen. Këtë e bë

ri Lulzim Basha, dy ditë pas humbjes spektakolare të zgjedhjeve parlamentare, e disa orë pasi kishte vizituar Sali Berishën në zyrë. Një stil i modernizuar i modelit që ka “ngrirjen” si emërues të përbashkët, dhe heshtja e Sali Berishës lëshon mesazhe lirisht abstraguese, edhe pas numrit aspak indiferent të eksponentëve të ndryshëm në Partinë Demokratike që kërkuan në grup dorëheqjen e Lulzim Bashës.

Nga ana tjetër, stili i “vetëndëshkimit” të ndërmend taktikat e Edi Ramës, që së fundmi e zëvendësoi me referendum garën për postin e kryetarit në PS. Ky marifet i shpallur nga Basha është edhe më zhgënjyes se humbja e 25 qershorit. Më shumë se zhgënjyes ishte edhe justifikimi për humbjen e thellë. Qesharak, infantil e fyes për këdo që e dëgjoi: rënia në 43 mandate, 7 më pak se Berisha pas 8 vitesh në pushtet e me aleatët që garonin më vete, paskërka qenë për shkak të vjedhjes së votave.

Nuk tha se cili ishte përgjegjësi për blerjen e votave e pse heshti për tri ditë pa denoncuar as edhe një rast të vetëm.

Këtë justifikim e paraqiti si mburojë për vetëngrirjen, një kryetar i opozitës që u mbyll për 9 orë kokë më kokë me kryeministrin, pa marrë mundimin të sqaronte mbështetësit e vet nëpër sheshe, se përse e bëri, e çfarë do arrinte me atë marrëveshje. Edhe ata që besuan se pas hermetizmit të Bashës mund të fshihej ndonjë taktikë që do përkthehej në rezultat, u zhgënjyen thellë: Basha nuk paskërkësh pasur asnjë plan për mbledhjen e votave, por ia paska lënë gjithçka rastësisë. Këtë ia evidentuan edhe dy aleatët e vet, njëri prej të cilëve e humbi mandatin e deputetit, por Basha nuk e konsideroi si pjesë të përgjegjësisë së vet.

Foli për vjedhje votash, edhe pse prej një muaji, sipas marrëveshjes 9-orëshe kokë më kokë me Edi Ramën, ka një të tretën e qeverisë dhe sektorët e tjerë kyç të shtetit, që vetë i ka përzgjedhur, pikërisht për të evituar abuzimin me votën. Në fakt, në 4 javë, përfaqësuesit teknikë të Bashës veçse goditën të zgjedhurit e LSI-së, duke i bërë Ramës një shërbim të paçmuar, e duke lënë pas dore strukturat e veta partiake.

Lulzim Basha nuk tha se pse heshti për tri ditë, identik si Edi Rama, e pse po njëlloj si ai shpërndau veç mesazhe viruale për mbështetësit.

Nuk u tha demokratëve e simpatizantëve të PD-së, se përse pas marrëveshjes me Ramën, ky i fundit nuk ishte më kryeministri i krimit e i drogës, por i fasadave e çitjaneve.

Lulzim Basha nuk tha se përse e bëri, me vullnet, apo me naivitet betejën e Ramës kundër LSI-së.

Lulzim Basha nuk tha se çfarë i solli PD-së paraqitja e Ilir Metës si e keqja më e madhe e vendit.

Lulzim Basha nuk tha, se si ia doli të kishte atë humbje të thellë kur PS e LSI ishin në luftë frontale, verbale e fizike me njëra-tjetrën në këto zgjedhje.

Lulzim Basha nuk tha se si e pranoi apo nuk e kuptoi që i pastroi figurën Edi Ramës nga akuzat për lidhje me krimin e kanabizimin e vendit, me atë marrëveshje e këtë rezultat, pavarësisht se vetë kishte bërë mijëra milje fluturime për ta denoncuar brenda e jashtë vendit.

Shkrimin e plotë e gjeni në Gsh.al duke klikuar tek linku:  http://www.gsh.al/2017/06/28/vetengrirja-e-te-pathenat-e-bashes-mes-berishes-e-rames/

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: