Nga 7 korriku, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka të drejtë legjitime të thërras seancën konstituive të Kuvendit, por, ende nuk e ka bërë një gjë të tillë.

Këtë të drejtë, presidenti e ka të garantuar sipas rregullores së kuvendit ku në nenin e shtatë thuhet se Presidenti duhet të thërras mbledhjen konstituive brenda 30 ditëve nga shpallja e rezultateve.

“Mbledhjen konstituive të legjislaturës së Kuvendit e thërret Presidenti i Republikës së Kosovës brenda afatit prej tridhjetë (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultatit të zgjedhjeve”, thuhet në Rregulloren e Kuvendit.

Neglizhencën e presidentit Thaçi për të thirrur seancën, Lëvizja Vetëvendosje e sheh si zhvatje, për shkak të mungesës së numrave për te formuar qeverinë nga PAN-i. Deputeti nga radhët e kësaj partie, Mytaher Haskuka, ka thënë për arbresh.info se presidenti Thaçi urgjentisht duhet të t’i jap mandatin Albin Kurtit që të formojë qeverinë.

“Se pari mosthirrja e seancës tregon që PANi nuk ka siguruar numrat për të formuar qeverinë, prandaj presidenti po mundohet të ju sigurojë më shumë kohë dhe kjo për neve është e papranueshme. Kosova nuk ka kohë për të humbur dhe nuk bën që të vonohet formimi I institucioneve, kaluan më shumë se një muaj që nga zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit dhe ende nuk është thirr seancë konstituive, kjo është e papranueshme”, ka thënë Haskuka.

Ai ka kërkuar që të respektohen afatet kohore dhe vullneti i qytetarëve. “Ne mendojmë që duhet të respektohen afatet kohore dhe vullneti i qytetarëve, vullneti i qytetarëve ka treguar që Lëvizja Vetëvendosje është partia me më shumë deputetë dhe Albin Kurti ka qenë kandidati më i votuar për kryeministër, prandaj urgjent presidenti duhet ti jep mandatin Albin Kurtit ashtu që të formohet qeveria”, është shprehur Haskuka.

Sipas Rregullores së Kuvendit, presidenti duhet ta thërrasë mbledhjen konstituive më së largu deri më 8 gusht. Pas kësaj, seanca e parë legjislative bëhet nga Kadri Veseli si kryetar i Kuvendit në legjislaturën e kaluar dhe Kryesia e Kuvendit e po asaj legjislature. “Përgatitjet për mbledhjen konstituive të legjislaturës së Kuvendit janë përgjegjësi e Kryetarit nga legjislatura e mëparshme”, përcaktohet në rregulloren e punës së Kuvendit.

Pastaj kryetari dhe Kryesia e Kuvendit të kaluar ftojnë kryetarët e partive që kanë hyrë në Kuvend për të biseduar mbi rendin e ditës së seancës konstituive.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb