ELBASAN- Deputeti socialist Taulant Balla ka zhvilluar një takim me studentë të Belshit, Cërrikut, Peqinit dhe Gramshit ku ka folur për protestën e opozitës dhe reformën në drejtësi. Balla ka ripërsëritur edhe njëherë se opozita nuk do zgjedhje sepse do të mbajë peng Vettingun.

“Çadra e opozitës është një çadër që nuk lejon deputetët e PD që të ushtrojnë detyrimin e tyre kushtetues për të ardhur në Kuvendin e Shqipërisë, për të respektuar një marrëveshje që ne kemi bërë në 21 korrik të vitit 2016. Por opozita kërkon marrëveshje pas marrëveshje. Tani që jemi në fund të mandatit kërkon qeverinë. Kërkon marrëveshje sepse nuk do zgjedhje. Nuk ka vend në botë që opozita të thotë nuk dua zgjedhje. I vetmi vend në botë ku opozita nuk do zgjedhje është Shqipëria. Dhe e dini pse nuk do zgjedhje? Nuk duan zgjedhje sepse duan të mbajnë peng Vettingun. Sot që kanë mandate deputetësh nuk duan të vijnë në Parlament për të votuar Vettingun. Sikur të dëgjojmë ata, pas 18 qershorit në këtë vend nuk do të ketë më as Parlament, as President dhe as Qeveri”, deklaroi Balla.

Ai tha se “ne kërkojmë me çdo kusht implementimin e Reformës në Drejtësi sepse nuk ka asnjë dyshim se një drejtësi që do të shkëputet nga çdo aferë e lidhur sot do të hetojë çdo aferë korruptive, përfshirë këtu edhe çdo dyshim të ngritur edhe ndaj qeverisjes sonë”.

“Kush është sot me PS janë në anën e duhur të historisë. Këto zgjedhje nuk kanë të bëjnë më 4 vitet e ardhshme, pasi në 4 vitet e ardhshme nuk ka asnjë dyshim se Shqipërinë do ta drejtojë Edi Rama. Por drejtimi i Shqipërisë nga Edi Rama në 4 vitet e ardhshme ka rëndësi të veçantë sesi do të duket Shqipëria në 20 vitet e ardhshme”, u shpreh Balla.

Deputeti socialist deklaroi se nga Vettingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, drejtësia që do të rilindë do të bëjë dhe Vettingun e politikanëve të korruptuar.

“Largqoftë sikur Shqipëria në 4-vjeçarin e ardhshëm të drejtohet nga ata që e patën në 8 vite dhe e trajtuan si plaçkë. Por unë jam shumë krenar që PS është parti që gjatë gjithë historisë së saj nuk i ka bërë kurrë keq Shqipërisë. Dhe këtë e tregon fakti që në procesin më të rëndësishëm, atë të Reformës në Drejtësi, ne nuk pamë interesin tonë. Ne vendosëm se Reforma në Drejtësi i duhet Shqipërisë dhe jemi plotësisht dakord që Vettingu të bëhet sepse nga Vettingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar, drejtësia që do të rilindë do të bëjë dhe Vettingun e politikanëve të korruptuar. Është domosdoshmëri që Shqipëria të shpëtojë edhe nga politikanët e korruptuar. Por kjo nuk mund të bëhet nëse ne nuk pastrojmë dot sistemin e drejtësisë.”, tha Balla.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: