TIRANE– Mbledhja e komisionit “ad hoc” për kandidatët për institucionet e vlerësimit, i parashikuar për t’u zhvilluar paraditen e sotme, është shtyrë. Shkak është bërë mungesa e një prej 12 anëtarëve të komisionit. Anëtarja e PD-së, Jorida Tabaku nuk ka mundur të jetë e pranishme në këtë mbledhje, pasi një ditë më parë ka sjellë në jetë dy vajzat e saj binjake.

Në mbledhjen e sotme, parashikohej të votohej komisioni i pavarur për kualifikimin e komisionerëve publikë.

Sakaq, të shtunën pritet që Parlamenti të mblidhet në një sesion të jashtëzakonshëm plenar, pasi deputeti socialist Pandeli Majko ka propozuar që të zëvendësohet përfaqësuesja e PD-së në komisionin “ad hoc” për vettingun, Jorida Tabaku.

“Në bazë të nenit 74, pika 2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenit 42, pika 2 të Rregullores së Kuvendit, një e pesta e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, nga të gjitha Grupet Parlamentare kanë depozituar sot, me shkresën Nr. 1553 Prot, kërkesën për thirrjen e sesionit të jashtëzakonshëm ditën e shtunë, datë 17 qershor 2017, drejtuar Kryetarit të Kuvendit”, citohet në njoftimin e Kuvendit.

“Në një sesion të jashtëzakonshëm të Parlamentit do të mbledhim firmat për zëvendësimin e Tabakut. Parlamenti të zëvendësojë Jorida Tabakun”, tha Majko.
(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb