TIRANË- Ambasadori i Rusisë në Shqipëri Alexander Karpushin ka folur për News24 dhe BalkanWeb pas dëbimit të dy diplomatëve nga shteti shqiptar, në lidhje me çështjen “Skripal”, duke iu bashkuar dhjetëra vendeve europiane dhe SHBA-ve. Karpushin tha në një intervistë për gazetaren Rashela Shehu, se për fat të keq, dëbimi i diplomatëve dëmton marrëdhëniet mes dy vendeve. Ai deklaron se Ministria e Jashtme lëshoi një deklaratë pa pasur prova dhe për më tepër quan një gabim të madh publikimin e emrave të dy diplomatëve rusë të dëbuar.


Zoti ambasador, ju i mohoni akuzat për përfshirje në helmimin e ish-agjentit rus, por a keni hetuar mbi këtë ngjarje dhe cilat janë informacionet tuaja?
Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë Ditmir Bushati theksoi dje në një intervistë që vendimi i NATO-s për dëbimin masiv të diplomatëve rusë është marrë sipas “provave paraprake”. Me fjalë të tjera, e vërteta e kësaj çështjeje ende nuk është zbuluar, dhe na vjen mirë që Ministria e Jashtme e Shqipërisë e pranon këtë gjë.

Vendet e NATO-s në bllok morën vendim të dëbojnë diplomatë ruse nga misionet diplomatike. A mendoni se eshët fillimi i një reagimi të ashpër të bllokut ndaj Rusisë dhe a druheni se kjo do përshkallëzohet?
Ato kundërmasa që do të ndërmerren nga pala ruse nuk mund të cilësohen si kërcënim, do të ndërmerren në bazë të parimit të reciprocitetit. Është një praktikë normale diplomatike dhe përgjigja jonë ndaj dëbimit të diplomatëve tanë do të jetë simetrike.

Ministria e jashtme ruse tha se do iu përgjigjet veprimeve të tilla. Është ky një kërcënim? Çfarë përgjigje do jepni?
Duhet theksuar se mbështetja e dëbimit masiv të diplomatëve rusë nuk ka qenë e detyrueshme për asnjë vend dhe as për Shqipërinë. Për ne mbështetja ose jo e këtij vendimi në radhë të parë është indikator i qasjes objektive dhe gjykimit të shëndosh të një vendi apo të një tjetri po edhe te sovranitetit real të këtyre vendeve. Siç jeni në dijeni, më 20 mars Ministria e Jashtme e Shqipërisë lëshoi një deklaratë, në të cilën, pa pasur asnjë provë, e akuzoi Rusinë për një “sulm kimik” të zhvilluar kundër Britanisë së Madhe.

Ndërsa tani pala shqiptare dëbon dy diplomatët tanë. Madje, në kundërshtim me praktikën e gjithëpranuar ndërkombëtare Ministria e Jashtme e Shqipërisë i ka bërë publikë emrat e tyre. Një gjë e tillë është e palejueshme dhe na krijon një indinjatë të fortë. Shpresojmë të dëgjojmë një shpjegim zyrtar të MEPJ-së lidhur me këtë veprim.

Te qëndrimet e çdo shteti lidhur me dëbimin ose jo të diplomatëve tuaj, shihni edhe aleancat reale? (Greqia, Turqia, Qipro) nuk i larguan diplomatët….
Pra, kemi dy qasje diametralisht të kundërta: një pjesë e vendeve nuk kanë nevojë për asnjë provë për ta akuzuar Rusinë, ndërsa një pjesë tjetër mendojnë se është e papranueshme të veprosh pa asnjë provë në dorë. Shqipëria i përket grupit të parë, dhe kjo është zgjedhja e saj. Për fat të keq, kjo besoj se do të dëmtojë marrëdhëniet tona dypalëshe dhe do të ngadalësojë ecurinë e tyre në të ardhmen.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb