Kukësi nuk ndalet në merkato, tashmë është shumë pranë një sulmuesi krahu, me të cilin mendon të bëj diferencën. Klubi i Kukësit, ditë me parë, i ka bërë një ofertë zyrtare ish-lojtarit të Boavistës, Teo Mendi.

Bëhet fjalë për një 26- vjeçar që luan si sulmues i djathtë dhe është prodhim i klubit të famshëm Boavista, të cilin gazeta e ka përmendur dhe më parë. Në dy sezonet e fundit ai është aktivizuar me skuadrën e Ligës së Dytë, Desportivo Aves, e cila, pas kampionatit të fundit, u ngjit në elitën e futbollit portugez (e mbylli në vendin e dytë).

Edhe pse nuk është qendërsulmues, Mendi ka shënuar 13 gola me Desportivo Aves. “Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht se menaxheri i Kukësit, Naim Halili, prej disa ditësh po negocion me agjentin e lojtarit dhe tani palët kanë arritur marrëveshjen, teksa Mendi ka pranuar ofertën dhe kohëzgjatjen e kontratës, e cila është 2- vjeçare.

Edhe për këtë lëvizje, ndërmjetës është bërë menaxheri i njohur shqiptar, Kostandin Grillo, i cili ka lidhje të ngushta me klubet portugeze. Pasi afroi te Kukësi mbrojtësin spanjoll, Albert Serran, tashmë Grillo në bashkëpunim me drejtuesit e klubit kampion në fuqi, kanë bindur lojtarin senegalez.

Ky i fundit i ka pëlqyer kushtet e kontratës, duke mbetur shumë i kënaqur edhe nga ana financiare. Sipas burimeve pranë klubit, ditën e sotme, Mandi do të mbërrijë në Shqipëri teksa drejtuesit e Kukësit dhe përfaqësuesit e lojtarit kanë përpiluar kontratën. Si një problem për futbollistin senegalez, u mendua të ishte viza, por gjithçka është në rregull, pasi sulmuesi është i pajisur me vizë shengen.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: