Christian Pannuci mori zyrtarisht drejtimin e përfaqësueses shqiptare të futbollit. Por tekniku i kuqezinjve është një figurë krejtësisht ndryshe. Në konferencën e djeshme për shtyp u shfaq shumë i qeshur, entuziast, me emocione, i sigurtë dhe me batuta por kur Panucci nervozohet bëhet i “keq”. Ndërkaq, së fundmi para disa muajsh Pannuci është përfshirë në një debat edhe me trajnerin aktual të Interit Luçiano Spalleti, i cili asokohe drejtonte Romën. Pasi trajneri i ri i Shqipërisë e kritikoi për zëvendësimin e Dzeko-s në sfidën ndaj Peskarës, Spalleti e cilësoi “të limituar” trajnerin e kuqezinjve që nuk ia përtoi t’i kthente përgjigje në lidhje direkte.

Debati në tv:
Pannuci: “U tregove jo shumë korrekt që e zëvendësove teksa po fitonit 4-1 dhe ai po lufton për çmimin si golashënuesi më i mirë i Serisë A!”…
Spalleti: “Shumë pak korrekt e thua ti. T’i thua jo korrekte, por unë të them nëse është qendërsulmuesi i vetëm që ka, ndërsa të tjerët kanë 3 apo 4… Duke bërë një arsyetim të tillë dhe që luaj fundjavën tjetër pra, mendoj se arsyetimi nuk është jo korrekt. Pa të s’dua të luaj këto tre ndeshje. Mund të them edhe që ke mendime të kufizuara nga aspekti i trajnerit, sepse leximet mund të jenë kundër atyre që t’i mendon”.
Pannuci: “S’jam mbartës i të vërtetave, por ishte opinion i imi… T’i më ofendove dhe më the jam i kufizuar si trajner”
Spalleti: “Më the që s’jam korrekt”.
Pannuci: “Më ka ndodhur që kam luajtur me sulmues që luftonin për luftën për titullin e golashënuesit dhe trajnerët s’i hiqnin. T’i ke leximin tënd. Por, i kufizuar s’jam. Te 4-1 t’i e heq”
Spalleti: “Por, nëse më thua jo korrekt, atëherë do të thotë që s’jam korrekt. E hoqa sepse të dielën kam derbin, pastaj Milanin dhe Juventusin. S’mund të luaj pa Xhekon sepse është i vetmi që kam gjithë vitin”.
Pannuci: “E çfarë ndryshonte nëse luante edhe 15 minuta më shumë? Është vlerësimi yt”
Spalleti: “Kemi qenë bashkë 10 vjet”
Pannuci: “Dhe s’mund të them mendimin tim”
Spalleti: “Kam hequr Manolas të dielën e shkuar. E lexova kështu në funksion të skuadrës”.

Sakaq, më parë, Pannuci, kur ishte trajner i Livornos, pasi u përjashtua nga arbitri i ndeshjes, arriti deri aty sa të thoshte se çfarë jemi balerinë, çfarë futbolli është ky me vetëm kartonë të kuq.

Por Pannuci është shfaqur impulsiv edhe për çështje që s’kanë lidhje me futbollin. Kur ishte futbollist te Parma, ai u bë i famshëm për një zënkë në parkingun e stadiumit me presidentin e Genoas, Enriko Preciozi.
“Ta këpus kokën, ta bëj kokën si top futbolli. Mëso të flasësh!”, ishin disa nga frazat e lëshuara nga Pannuci gjatë asaj zënke e cila u qetësua vetëm pas ndërhyrjes së disa policëve të pranishëm në ambientet e stadiumit.

(i.ç/BalkaWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: