NGA KLODIANA LALA

Asgjë nuk ka mbetur nga pista e Ishmit, e cila u zbulua në shtator të vitit të kaluar kur u rrëzua avioni i Guido Guidit, Prokuroria ka ende dyshime se vendi ishte përzgjedhur nga grupet kriminale për të realizuar trafik drogë në rrugë ajrore nga Shqipëria drejt Italisë. Tani pas më shumë se 4 muaj nga rrëzimi i “Piper”-it italian, fusha e improvizuar është mbuluar nga uji në gjithë gjatësinë e saj dhe ngjan më shumë me një moçalishte.
pista ishem

Të vetmet gjurmë që dallohen në të, janë brazdat që u hapën për të shmangur çdo tentativë për uljen apo ngritjen e avionëve të vegjël. Gjithçka tjetër rreth e rrotull duket e shkretë. Rruga që të shpie në atë që u konsiderua si “aeroporti nr.2 në Tiranë”, është e pakalueshme me makinë, ndaj për të mbërritur deri atje, duhet të ecësh të paktën 20 minuta në këmbë. Teksa i afrohesh fundit të pistës, dallon krahët e mjetit të rrëzuar aty buzë lumit. Shiritat që policia vuri në shtator për të siguruar vendngjarjen, brenda së cilës kreu veprimet hetimore, kanë rënë përtokë dhe janë mbuluar nga balta. Avioni i ngjan një relikeje te shkatërruar. Giudi i dha lamtumirën Shqipërinë, mesditën e 26 janarit. Përgjatë qëndrimit në Shqipëri, ai u ruajt nën masa të rrepta sigurie dhe qëndroi ne vende sekrete, çka bën të ngrihen dyshime të forta se Guidi ka qenë nën statusin e të mbrojturit, edhe pse prokuroria asnjëherë nuk e pranoi zyrtarisht një fakt të tillë.

69-vjeçari i cili u largua si një turist i vërtetë nga Shqipëria, me një avion të linjës drejt Milanos, ka premtuar se do të rikthehet në Shqipëri sa herë do ta thërrasin prokurorët për nevojat e hetimit.
Megjithatë, sapo ai shkeli tokën italiane, Corriere Dela Sera solli një shkrim të detajuar, ku ndër të tjera thekson se Guidi është rrëfyer për prokurorët shqiptarë dhe ka nxjerrë emrat e atyre që konsiderohen si “kokat” e trafikut të drogës.

Mbase vetë Guidi nuk ka dashur në krye të herës të rrëfehet, duke këmbëngulur se erdhi në Shqipëri për turizëm. Por një listë me emrat e trafikantëve, me të cilët do të bashkëpunonte, e “tradhtoi” atë.
Asnjë nga këto fakte nuk pranohet zyrtarisht nga prokuroria shqiptare, e cila zyrtarisht mbrohet me frazën: Po vazhdojmë hetimin.

Se çfarë do të dalë në përfundim të hetimit, nuk është ende e qartë. Nëse Guidi do kthehet më ose jo në Tiranë, edhe kjo nuk dihet. I vetmi kujtim që vazhdon ende të mbetet në vendin tonë prej 69-vjeçarit është mjeti fluturues që ngeci në grykëderdhjen e lumit.

Deri më tani, përpjekjet e prokurorisë për ta larguar “Piper”-in nga vendi ku ra, kanë rezultuar të kota. Ndaj prokuroria pas shumë kërkesave të kompanisë pronare, ka vendosur që mjeti fluturues t’i kthehet “Aero Club Savonës”. Por deri atëherë….
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: