DURRËS- Policia e Durrësit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë, pas një hetimore 2-mujore me metoda speciale ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Black Hats” (Kapelet e zeza), duke parandaluar trafikimin e dy vajzave të reja drejt shtetit italian.

Tre të rinj janë arrestuar për trafik të qenieve njerëzore dhe shfrytëzim prostitucioni.

TË ARRESTUAR
• Fitim Dumani, 29 vjeç, banues në Durrës;
• Reinaldo Greca, 28 vjeç, banues në Durrës;
• Denis Shaba, 28 vjeç, banues në Durrës.

Nga veprimet hetimore të kryera për rreth 2 muaj u dokumentua me prova ligjore se shtetasi Denis Shaba gjente dhe shfrytëzonte me qëllim prostitucioni femra, ndërsa shtetasit Fitim Dumani dhe Reinaldo Greca kishin si qëllim trafikimin e tyre në shtetet fqinjë.

Aktiviteti kriminal kryhej zakonisht në zonën e plazhit, ku shtetasit e mësipërm në rolin e ndërmjetësve dhe tutorëve gjenin klientët, kundrejt pagesës 100- 300 €.

Në sajë të një vëzhgimi të pandërprerë dhe profesional nga ana e Specialistëve për Hetimin e Trafiqeve është bërë e mundur parandalimi i trafikimit të dy femrave drejt Italisë.

Specialistët kanë ndërhyrë dhe kanë kapur në flagrancë shtetasit Fitim Dumani dhe Reinaldo Greca, në PKK Durrës, në momentin për t’u larguar për në Itali, për të trafikuar dy femra, shtetaset me iniciale K.B. 18 vjeçe dhe K.L. 19 vjeçe.

Dy vajzat janë viktima të trafikut dhe janë akomoduar në një qendër sociale.
Vijon puna për zbulimin dhe dokumentimin e personave të tjerë të implikuar në këtë rrjet kriminal dhe personave të përfshirë në këtë veprimtari që i prisnin viktimat në shtetin fqinj.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme për veprat penale:
• Shfrytëzim prostitucioni në ngarkim të shtetasit Denis Shaba;
• Trafikimi i personave të rritur në bashkëpunim në ngarkim të shtetasve Fitim Dumani dhe Reinaldo Greca.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb