BURREL- Policia e Burrelit ka arrestuar 4 persona në kuadër të operacionit “Nata e Fundit”. Në pranga kanë rënë Armand Murati, Blerim Tabaku, Adriatik Haklaj dhe Ylli Haklaj.

Sipas policisë këta persona kryenin vjedhjen e transformatorëve të kabinave elektrike në zonën e Dibrës dhe Burrelit.

Gazetarja Dorjana Bezat njofton për “BalkanWeb” se Armand Murati dhe Blerim Tabaku janë nga Tirana, kurse Adriatik Haklaj dhe Ylli Haklaj nga Kamza.

Pasi kryenin vjedhjet në Burrel ata ktheheshin më pas në kryeqytet. Policia ka sekuestruar automjetin dhe pajisjet që të arrestuarit përdornin për çmontimin e transformatorëve. Vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, kanë marrë informacion në rrugë operative se në fshatin Bashkim, njësia Administrative Baz, po kryhet një vjedhje.

Menjëherë nga ana e tyre është organizuar puna ku kanë shkuar në vendin e ngjarjes, konkretisht në fshatin Bashkim, ku kanë konstatuar 4 shtetas duke vjedhur një Transformator të një kabine elektrike të O.SH.E.E-së, Mat.

Falë veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale të kryera nga specialistët e policisë janë arrestuar në flagrancë shtetasit :

Ylli Haklaj, 47 vjeç, banues në Kamëz-Tiranë (i dënuar më parë)

Adriatik Haklaj, 50 vjeç, banues në Kamëz Tiranë (i dënuar më parë)

Blerim Tabaku, 40 vjeç, banues në Ndroq-Tiranë (i dënuar më parë)

Armand Murati, 31 vjeç, banues në Kashar-Tiranë.

Gjatë kqyerjes së vendit të ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale :

-një automjet “Volkswagen”, me targa TR 7632 L
-një kapuç (maskë ngjyrë e zezë)
-një palë doreza
-gërshërë metalike
-shkop druri (rreth të cilit mbështillet tel në formë të çrregullt).

Si rezultat i punës së bërë nga shërbimet e policisë dyshohet se shtetasit e mësipërm janë autorë të vjedhjes së një transformatori tjetër në një kabine elektrike, ngjarje e ndodhur me datë 10.06.2017, në vendin e quajtur Dush i Kuq-Klos.

Vijon puna për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal të këtij grupi.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: