Nga: REZARTA PASHALLARI*LEZHE-Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Evropiane për Bashkinë e Lezhës, Viktor Tushaj bëri të ditura pikat e programit të tij për të drejtuar edhe në një tjetër mandat. Ai shpalos si një nga premtimet solemne ndërtimin e shëtitores së bregut të Drinit. Sipas Tushajt, “edhe ndërtimi i terminalit të ri të udhëtarëve që pritet të realizohet që këtë vit, ndërtimi i ujësjellësit të ri të qytetit, për të cilin kemi punuar prej shumë vitesh, rikonstruksioni i rrugës “Shtraus”, si dhe përgatitja e projektit për ndërtimin e pedonales në bulevardin kryesor, do të sjellin një ndryshim rrënjësor të pamjes së qytetit”. “Këto prioritete që kemi përcaktuar dhe janë duke u realizuar, na japin besim për të konkurruar dhe siguri për të fituar në garën elektorale për Bashkinë e ardhshme të Lezhës”, tha kreu i Bashkisë së Lezhës, që synon një tjetër mandat, në 21 qershor.
Ju jeni kandidati i koalicionit Aleanca për Shqipërinë Europiane që synoni të rimerrni mandatin për drejtimin e Bashkisë së Lezhës. Pse konkurroni sërish, cilat janë projektet tuaja për tjetërsimin e qytetit?
Besimi që më është dhënë nga ASHE për të drejtuar Bashkinë e ardhshme të Lezhës, është një përgjegjësi e madhe dhe sfidë që duhet përballuar në kushtet e reja të reformës administrative. Duke marrë parasysh të gjithë problematiken që mbart me vete zgjerimi i territorit, numri dhe përbërja heterogjene e popullsisë, mentaliteti i njerëzve dhe pozicioni i tyre politik, e bën fushatën më të vështirë dhe me shumë të panjohura. Në rrugëtimin tonë të përbashkët me qytetarët, në drejtim të Bashkisë së Lezhës, kemi ndërmarrë një seri projektesh dhe kemi realizuar një sërë investimesh në shërbim të zhvillimit të qytetit, në përgjigje të kërkesave në rritje të tij në kushtet e trefishimit të popullsisë në pak vite, gjë që ka kërkuar më shumë shkolla, kopshte, rrugë, lulishte e mjedise të tjera për qytetarët të cilët kanë zgjedhur Lezhën për të jetuar. Nga investimet e realizuara në arsim si; Ndërtimi i një shkolle të mesme të përgjithshme, dy shkollave të reja 9-vjeçare, rikonstruksionin e dy të tjerave, rrethimin e bllokut të shkollave të qytetit, pra me të gjitha këto kemi arritur që nxënësit e qytetit të Lezhës të zhvillojnë procesin mësimor në mjedise të reja apo të rikonstruktuara plotësisht në këto 7 vitet e fundit. Me projektin tonë sapo ka filluar edhe ndërtimi i shkollës së re profesionale dhe kopshtit të ri të fëmijëve në qendër të qytetit. Vitin e fundit qasja e qeverisë shqiptare ndaj kërkesave tona dhe projekteve që nuk i kishim realizuar ka ndryshuar. Investime të konsiderueshme po kryhen në rikonstruksionin dhe rikonceptimin e sheshit të qytetit, rrugës në hyrje të tij dhe në lulishtet përpara memorialit të Skënderbeut dhe Obeliskut të Besëlidhjes se Lezhës. Këto investime të rëndësishme e bëjnë qytetin më atraktiv për tu vizituar dhe krijojnë lidhje organike të monumenteve historike me ndërtimet e reja. Investimet që po bëhen në qendër të qytetit janë përpjekja më e mirë për ta bërë qytetin bashkudhëtar të denjë të historisë së tij të lavdishme 2500-vjeçare. Këtë vit ka filluar ndërtimi i shëtitores së bregut të Drinit, me investim të qeverisë shqiptare, e cili ka qenë një premtim i hershëm dhe prioritet i programeve tona elektorale. Ndërtimi i kësaj shëtitoreje moderne dhe vënia në shërbim të qytetarëve do të përmbushë një premtim, dhe do të përbëjë një destinacion të ri turistik për vizitorët që duan të shohin qytetin e Lezhës. Këto që përmendëm dhe ndërtimi i terminalit të ri të udhëtareve që pritet të realizohet që këtë vit, ndërtimi i ujësjellësit të ri të qytetit, për të cilin kemi punuar prej shumë vitesh, rikonstruksioni i rrugës “Shtraus”, si dhe përgatitja e projektit për ndërtimin e pedonales në bulevardin kryesor, do të sjellin një ndryshim rrënjësor të pamjes së qytetit. Këto prioritete që kemi përcaktuar dhe janë duke u realizuar, na japin besim për të konkurruar dhe siguri për të fituar në garën elektorale për Bashkinë e ardhshme të Lezhës.
Lezhës i bashkohen edhe 9 komuna me reformën e re territoriale, çfarë problemesh keni hasur nga takimet me ata banorë?
Këto ditë kanë qenë mjaft intensive me takime në të gjitha fshatrat, me njerëz të moshave, profesioneve dhe pikëpamjeve të ndryshme politike. Lezhjanët janë njerëz të ditur, të mençur, modestë dhe kërkesat e tyre janë më shumë në të mirë të komunitetit apo të zonave përkatëse, se sa personale. Lezha është një trevë interesante dhe me kushte klimatike, natyrore shumë të favorshme. Në pikëpamje të popullsisë Lezha banohet nga tre komunitete të mëdha etnike që janë malësorët, zadrimorët e mirditorët dhe dy oaze kulturore; kallmetorët e pllanorët si dhe qytetarët të cilët kanë bashkëjetuar në harmoni perfekte me zonat përreth. Popullsia e Lezhës është një bashkësi e konsoliduar edhe për shkak se në 70 vitet e fundit kanë bashkëjetuar dhe kanë krijuar lidhje miqësore që është shembull mirëkuptimi e harmonie. Lezha përbën një trevë unitare në mënyrën e jetesës, bashkësinë territoriale dhe etnokulturore. Lezha edhe më parë për mua ka qenë e njohur, pasi sipërfaqja e saj është e vogël pavarësisht se numri i popullsisë është i konsiderueshëm për shkak të dendësisë së madhe të popullsisë, kushteve natyrore dhe fushave pjellore që rrethojnë qytetin. Ardhjet e pakontrolluara të popullsisë, lëvizjet e mëdha demografike kanë sjellë me vete edhe probleme të nivelit dhe të mënyrës së jetesës, megjithëse pa e cënuar bashkëjetesën.
Keni ndonjë projekt konkret për përmirësimin e jetës në këto fshatra?
Me gjithë investimet që janë bërë në Lezhë, ende ka nevojë për përmirësim të infrastrukturën rrugore. Prioritet në vitet në vijim do të jenë ndërtimi i rrugës së Torovicës, rikonstruksioni i rrugës së vjetër Lezhë-Milot, loti i dytë i rrugës së Kashnjetit, etj. Objekt i punës së bashkisë së ardhshme do të jetë përmirësimi i furnizimit me ujë të pijshëm në të gjithë qendrat e banuara, përmirësimi i shërbimeve ndaj qytetarëve, nxitja e punësimit, plotësimi i kushteve dhe rritja e cilësisë në arsim.
Çfarë parashikoni në programin tuaj për bujqësinë pasi Bashkia e Lezhës, siç u tha dhe më lart tashmë përfshin shumë fshatra?
Lezha njihet si zonë bujqësore dhe me mundësi të zhvillimit intensiv të saj, zonë me përvojë e traditë në pemëtari, blegtori, në prodhimin e verërave, dhe deri në zejtari ku zona e Zadrimës përbën një rezervë e traditë të veçantë në këtë fushë. Lezha përpara shumë vitesh është dalluar në shkallë kombëtare për prodhimin e shalqirit në Torovicë dhe të gjelit të detit në Dajç e Blinisht. Nxitja dhe stimulimi i prodhuesve tashmë të afirmuar, mekanizimi i proceseve të punës do të jetë objektiv i punës sonë. Rehabilitimi i plotë i sistemit të vaditjes dhe rritja e kapacitetit të kullimit mbeten një angazhim i fortë për administratën e ardhshme të bashkisë. Në kushtet e reja do të subvencionohet prodhimi bujqësor e blegtoral, ambalazhimi i produkteve, monitorimi i prodhimit dhe krijimi i kushteve të tregut me qellim standardizimin e tij në të gjithë bashkinë e re, me objekt përmirësimin e furnizimit të qytetarëve me prodhimet bio të vendit.
A ndjeheni ju të privilegjuar që keni edhe qeverisjen qendrore në mbështetjen tuaj për realizimin e programit?
Nga përvoja e këtyre dy viteve konkludojmë se bashkëpunimi me qeverinë qendrore ka qenë shumë pozitiv dhe tej pritshmërive tona. Mjafton të përmendim se kemi punuar me qeverinë e mëparshme dy vjet për të marrë një kredi afatgjatë për ndërtimin e rrugës në lagjen e re të qytetit pa sukses dhe ka mjaftuar vetëm 15 ditë që Ministria e Financave e qeverisë së koalicionit të majtë, të bëjë aktive kredinë, me të cilën kemi ndërtuar rrugën e re të lagjes, që sot është në shërbim të 5 mijë banorëve të atij blloku. Ne kemi në proces realizimi një sërë projektesh e investimesh në qytet që janë shprehje e bujarisë së Qeverisë ndaj Lezhës. Transformimi që po i bëhet qytetit tonë në të gjithë infrastrukturën e tij, është fryt i bashkëpunimit dhe besimit të ndërsjelltë me Qeverinë e zotit Edi Rama. Unë e konsideroj nder dhe privilegj që gëzoj besimin e tij dhe kjo do të jetë në favor të qytetarëve lezhjanë, të rritjes së investimeve në Bashkinë e re të Lezhës, në përmirësim të infrastrukturës, nxitjes së punësimit dhe rritjes së mirëqenies së banoreve të kësaj njësie vendore, ndër më të rëndësishmet e Shqipërisë së epërme.
Po turizmi çfarë hapësire zë në programin tuaj?
Lezha më së shumti njihet brenda e jashtë vendit për resurset e jashtëzakonshme turistike që disponon. Qyteti i Lezhës ka fushën, malin dhe detin, qytet me monumente historike me rëndësi kombëtare, dhe vlera të mëdha arkitekturore e arkeologjike, qytet me lagunë të pasur, me llojshmëri habitatesh e diversitet të lartë biologjik të llojeve të florës dhe faunës, një trevë e mbushur me monumente të kulturës e natyrës, si kalaja e lashtë dhe kështjella mesjetare, kishat e vjetra si e Shën Eufemisë Kallmet dhe Pllanes, Kisha e Kuvendit të Arbrit dhe shtëpitë karakteristike të Shehrit deri tek pyjet e larta të Velës, përbëjnë kushte e mundësi të mëdha të zhvillimit të turizmit të të gjithë llojeve. Plazhi i Shëngjinit dhe i Talës, i plotësuar edhe me rrugën e re që do të lidhë Shëngjinin me Velipojën, plazhi i Ranës së Hedhun dhe lagunat e Kune Vainit, si dhe qyteti i Lezhës do të jenë për turistët vendës dhe të huaj një magnet për t’i ftuar, ndërsa kuzhina moderne e tradicionale e Mrizit të Zanave etj, do të jetë ftesë për të qëndruar në këtë zonë të ngritur mbi një peizazh impresionant që zoti i ka falur me bujari gjithçka i duhet për të qenë mikpritëse, joshëse e bujare për këdo që e viziton.
A jeni në kohë për të ofruar turizëm cilësor këtë verë?
Mendoj se përvoja e deritanishme është një pikë e fortë dhe ngritja e agjencisë kombëtare të bregdetit nga qeveria shqiptare në shërbim të përmirësimit të cilësisë dhe mirëmenaxhimit të zonës bregdetare përbëjnë një vlerë të shtuar në cilësinë e turizmit edhe në Lezhë që këtë vit. Deri tani vetëm nga plazhi i Shëngjinit janë larguar rreth 300 m3 inerte nga kjo agjenci në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes dhe vullnetarët e pastrimit të ambientit. Janë punësuar rreth 20 njerëz që do të shërbejnë për pastrimin e plazheve gjatë sezonit, të cilët do të kenë ndihën dhe mbështetjen tonë maksimale me mjete transportuese dhe bashkëpunim me të gjithë aktorët që kanë impakt në përmirësimin e cilësisë së shërbimit në plazhet e Lezhës. Vëmendja jonë do të përqendrohet në cilësinë e shërbimit në plazhe, nxitjen e turizmit cilësor, atij historik e kulturor, duke organizuar vizita në malin e Velës dhe zona të tjera malore. Përvoja e krijuar tashmë me restorantet e përmendura si Mrizi i Zanave në Fishtë, Rapsodia, lokalet e Kune Vainit, do shërbejnë model për promovimin e kulinarisë së pasur të Lezhës.
Tashmë ju keni eksperiencë në drejtimin e një qyteti, mund të na thoni çfarë keni bërë në këtë zonë gjatë kohës që keni drejtuar bashkinë?
Nga puna jonë në drejtim të Bashkisë Lezhë në këto vite, sot kemi të ndërtuar rrugën e kalasë së qytetit, rrugën e spitalit, rrugën e lagjes “Nënë Tereza”, rrugën e lagjes “Skënderbeg”, disa rrugë të lagjeve, rikonstruksionin e lulishteve të qytetit, kemi shërbim pastrimi, e gjelbërimi të qytetit në një nivel të kënaqshëm, kemi shkolla të reja dhe të rikonstruktuara, gjendje shumë të mirë të mjediseve shkollore, të kopshteve e çerdheve, kemi shërbim model ndaj qytetarëve, përgjithësisht kemi një qytet ku punohet çdo ditë në shërbim të rritjes së cilësisë së jetës së qytetarëve të tij dhe të turistëve të shumtë vendas e të huaj që zgjedhin Lezhën për ta vizituar. Ne, gjatë kësaj periudhe kemi ngritur besimin e ndërsjelltë tek qytetarët, kemi krijuar bindjen tek njerëzit se qyteti përditë po bëhet më i mirë dhe gjithçka që po realizohet është në të mirë të qytetarëve, në shërbim të tyre dhe se kjo është rruga e duhur për zhvillimin e prosperitetin e qytetit tonë për të cilin kemi obligimin për t’i shërbyer duke vënë gurët që na takojnë në murin e madh të zhvillimit këtij qyteti me vazhdimësi të jetës urbane 2500-vjeçare, vendlindja jonë, të cilës i kemi borxh për t’i shërbyer për gjithë jetën.
Keni ndonjë projekt që doni ta realizoni patjetër nëse fitoni zgjedhjet?
Prej 20 vitesh është premtuar dhe me këmbënguljen tonë e gatishmërinë e posaçme të qeverisë shqiptare është duke u ndërtuar shëtitorja e bregut të Drinit. Ky është premtimi im solemn përpara qytetarëve lezhjane, duke i shtuar edhe rritjen e prurjeve të ujit me qëllim që edhe Drini i Lezhës të jetë i pastër i lundrueshëm dhe një destinacion atraktiv për gjithë vizitorët që duan të shijojnë bukuritë e Lezhës. Ngritja e parkut industrial në shërbim të përmirësimit të punësimit dhe krijimit të kushteve për nxitjen e prodhimit, është një objektiv të cilin ka ardhur koha jo vetëm ta realizojmë, por ta bëjmë model për bashkitë e tjera të vendit pasi jemi afër portit të Shëngjinit, i cili së shpejti do të jetë edhe një portë e rëndësishme e veriut, jo vetëm për lëvizjen e mallrave, por edhe të udhëtarëve. Projekti për një qytet universitar mendoj se do të gjejë zbatim duke hapur një degë të shkencave albanologjike meqenëse Lezha mund të konsiderohet kryeqendër e shtetit të njohur mesjetar të Arbrit, një vend i vlerave historike dhe krenarisë kombëtare.
Cilat janë diferencat që keni ju me kandidatin tjetër?
Ne konkurrojmë për të drejtuar qytetin e Lezhës me punën tonë, me përvojën, projektet dhe objektivat, me prioritetet dhe përgjithësisht programin tonë. Unë premtoj se, në radhë të parë do të jem administrator i pushtetit të qytetarëve, garantues ligjor i të drejtave të tyre, mbrojtës i interesave të ligjshme të banorëve të Lezhës, shërbëtor i interesit publik, dhe zbatues korrekt i ligjit, me synim rritjen e mirëqenës duke siguruar transparencë maksimale në shërbim të interesave dhe kërkesave të ligjshme të qytetarëve. Ndihma, mbështetja e pakursyer nga qeveria shqiptare për projektet që ne kemi hartuar dhe po zbatohen çdo ditë janë një avantazh determinant. Ne besojmë se pas fitores do të kemi mbështetje të pakufizuar për ta bërë Lezhën zonë intensive të zhvillimit ekonomik dhe model të ritmeve të larta të rritjes së mirëqenies në të gjithë vendin.
Pse qytetarët e Lezhës dhe të komunave duhet t’iu votojnë ju?
Unë ftoj qytetarët e Bashkisë së Lezhës dhe banorët e njësive administrative që do të përbëjnë Bashkinë Lezhë të më votojnë mua, pasi do të qeverisim së bashku, duke i konsideruar qytetarët pjesë të vendimmarrjes, do të ndajmë së bashku procesin e përcaktimit të prioriteteve, investimet në komunitet, zhvillimin ekonomik e shoqëror në funksion të rritjes së cilësisë së jetës së banorëve të Lezhës.
Çfarë do t’ju thoshit sot zgjedhësve që ata t’jua besojnë votën e tyre?
Ne jemi të angazhuar të frymëzojmë patriotizëm, të manifestojmë humanizëm, solidaritet, mirëkuptim, harmoni e paqe, respekt e dashuri, duke zhvilluar një fushatë të qetë qytetare në respekt të plotë për vlerat e lirisë dhe dinjitetin e qytetarëve të Lezhës. Jam i sigurtë se Lezha me resurset e saj ekonomike, turistike, me energjitë pozitive dhe me vizionin tonë për drejtimin e duhur e zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, do të bëhet një qendër e madhe administrative, një pol i rëndësishëm i zhvillimit ekonomik. Jam i bindur se qytetarët lezhjanë, rinia, intelektualët, gratë, veteranët do të dinë të zgjedhin rrugën e drejtë të zhvillimit, vizionin e qartë të progresit, njeriun dhe stafin e duhur për të drejtuar Lezhën në vitet e ardhshme. Ne së bashku do ta bëjmë Lezhën ashtu sikurse të parët tanë e njerëzit e shquar të këtij qyteti e patën ëndërruar, do ta bëjmë këtë qytet ashtu si brezi ynë e ka dëshiruar, do ta bëjmë Lezhën ashtu si brezat e ardhshëm do të donin ta kishin për ta trashëguar. Ky qytet në të cilin jetojmë e për të cilin punojmë, do të jetë në jetë të jetëve siç ka qenë që nga moti i shkuar: Qytet i poetëve e intelektualëve të njohur, i ngritur mbi një peizazh plot dritë si një ballkon, qytet simbol i shegës së lulëzuar, qytet ku edhe dielli qesh kur lind, e qan kur perëndon.

(a.n/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: