PRISHTINE– Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka shkruar në Facebook se Gjykata ka dhënë fillimisht një urdhër politik për të arrestuar Kryeministrin e ardhshëm të Republikës së Kosovës, Albin Kurtin, dhe tashmë, sërish në mënyrë politike, e ka pezulluar këtë urdhër.

Shkrimi i plotë i Ymerit:

Sot u konfirmua edhe zyrtarisht nga Gjykata Themelore në Prishtinë, se ka pezulluar fletarrestin për kandidatin e Lëvizjes VETËVENDOSJE! për Kryeministër të Kosovës, Albin Kurtin. Ashtu siç e shpjeguam edhe dje, në prezantimin e kandidatëve tanë për deputetë, Gjykata ka dhënë fillimisht një urdhër politik për të arrestuar Kryeministrin e ardhshëm të Republikës së Kosovës, Albin Kurtin, dhe tashmë, sërish në mënyrë politike, e ka pezulluar këtë urdhër. Qytetarët e Kosovës nuk kishin nevojë për dëshmi të reja që vërtetojnë se sistemi i drejtësisë në Kosovë është i kapur nga “Klani Pronto” i PDK-së dhe bashkëpunëtorët e tij në LDK, por ja që rritja e Lëvizjes VETËVENDOSJE! e ka nxjerr pushtetin edhe një herë zbuluar. Vendimet e kësaj gjykate nuk kanë asnjë bazë të vetme juridike. Fletëarresti për Albin Kurtin u lëshua nga paniku i tyre për rritjen tonë, dhe u pezullua nga frika e madhe e tyre për fitoren e Lëvizjes VETËVENDOSJE! më 11 qershor. Tashmë gjërat janë të qarta për të gjithë, dhe nuk ka klan që e ndal mobilizimin e gjerë qytetarë që po e sjell fitoren.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: