TIRANE- Drejtoresha e Sigurimeve Shoqërore, Vjollca Braho, zgjidhet drejtuesja e re e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH). Këshilli i Administrativ i Fondit ka emëruar sot në krye të këtij Fondi Vjollca Brahon, e cila që janari i vitit 2012 drejtonte ISSH-në.

Ajo drejtoi ISSH-në në një proces të plotë informatizimi, ndërkohë që udhëhoqi bashkë me ekipin e saj edhe hartimin dhe implementimin e Ligjit të ri të Sigurimeve Shoqërore, e cila nisi aplikimin që nga 1 janari 2015. Ligji i Ri i Pensioneve realizon një lidhje të drejtpërdrejtë midis kontributeve të paguara dhe pensioneve , duke synuar që çdokush të marrë atë që i takon, si dhe u fut për herë të parë nocioni i “pensionit social” që përfshiu në përfitim edhe të moshuarit rezidentë në vend mbi 70 vjeç që nuk përfitojnë asnjë lloj përfitimi nga skema e detyrueshme.

Gjatë drejtimit të ISSH-së nga Braho, u ndryshua rrënjësisht mënyra e llogaritjes dhe pagesave të përfitimeve, duke zhvilluar dhe aplikuar sistemet e reja informatike, që bënë të mundur uljen e kohës së caktimit të përfitimeve, rritjen e saktësisë së tyre, eliminimin e informalitetit në pensione si dhe rritjen e cilësisë së shërbimit në pagesën e tyre nëpërmjet sistemit on line.

Krijimi dhe implementimi i Sistemeve Elektronikë nxori në pah njëkohësisht gjithë pagesat e padrejta që ishin bërë në vite, përmes falsifikimit të moshës, viteve të punës apo kategorive të ndryshme të punës, duke bërë të mundur që të programohet kthimi në fondin e pensioneve i shumave të përfituara padrejtësisht si dhe të dërgojë për hetime të gjithë fajtorët e këtyre shkeljeve.

Gjithashtu, në kuadër të informatizimit të plotë të sistemit, që prej vitit 2013, ka nisur punën Arkivi Qendror i ISSH-së, në Lundër, ku janë mbledhur shumica e dokumenteve të vjetërsisë në punë, nga të gjitha Drejtoritë Rajonale dhe njëkohësisht është duke u punuar për të dixhitalizuar vjetërsinë në punë që nga viti 1945 dhe deri në ditët e sotme. Prej më shumë se një viti ka përfunduar dixhitalizimi i regjistrave të gjithë ish-koperativave bujqësore, dhe është drejt përfundimit edhe hedhja e të dhënave të vjetërsisë në punë për ndërmarrjet shtetërore, duke bërë të mundur dixhitalizimin e vjetërsive në punë të periudhës para vitit 1994.

Ndërkohë, është në fillim procesi i dixhitalizimit të listpagesave në letër nga viti 1994 deri në vitin 2012. Përfundimi i këtij procesi si dhe deklarimi on line i listëpagesave nga janari i vitit 2013 do të plotësojë llogaritë individuale kontributeve në formë dixhitale duke rritur transparencën e kontributeve, do të shkurtojë kohën e shërbimit ndaj qytetarëve dhe rrisë besueshmërinë e publikut ndaj skemës së sigurimeve shoqërore.

Një hap tjetër i shënuar në katër vitet e drejtimit të ISSH-së ka qenë ndryshimi i infrastrukturës, ku janë rikonstruktuar godina qendrore e ISSH-së, Agjencitë e Drejtorive Rajonale të Tiranës, Durrësit dhe Korçës, si dhe nisja e punime për gjithë agjencitë e tjera, duke synuar rritjen e mëtejshme të shërbimit me qytetarët. Këto ndryshime në agjencitë rajonale kanë futur shërbimin elektronik, duke sjellë ndryshime në aplikimet dhe shërbimet ndaj qytetarëve.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: