Tensionohet situata te Vllaznia para ndeshjes vendimtare të sezonit kundër Tiranës, që do të përcaktojë mbijetesën e shkodranëve në Superiore për sezonin e ardhshëm. Opinioni publik në Shkodër i është kundërvënë ekipit për formën që ka shfaqur në ndeshjet e fundit ku është kthyer nga një pretendent për Europën në një skuadër mbijetese.

Ndaj për të përgatitur me qetësi sfidën e fundjavës ndaj Tiranës, drejtuesit e klubit kanë menduar që të largojnë ekipin nga Shkodra. Kësisoj, planifikohet që kuqeblutë të grumbullohen që ditën e nesërme në Ulqin, ku do të qëndrojnë deri në ditën e ndeshjes. Stafi drejtues i kuqebluve mendon se kjo është mënyra e vetme që ekipi t’i qërdnojë larg trysnisë së qytetit i cili po e përjeton si një tragjedi situatën që po kalojnë kuqeblutë.

Por në Shkodër kanë edhe një shqetësim tjetër, atë të tifozëve të klubit të Tiranës që do të vizitojnë qytetin verior në këtë sfidë. “SuperSport” raporton se klubi ka kërkuar zyrtarisht nga FSHF që të mos lejojë tifozë udhëtues në “Loro Boriçi”, duke dhënë si shembull përplasjen mes tifozerive pak javë më parë në ndeshjen e basketbollit në Tiranë.

Duke llogaritur që me shumë mundësi, ndeshja mes Vllaznisë dhe Tiranës do të përcaktojë kush bie nga Superiorja, sido që të jetë vendimi i FSHF-së rreth tifozerisë, pritet që të ketë masa të larta sigurie në stadium për të evituar tensionim të situatës në tribuna sido që të shkojë ndeshja./panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: