Kampionia më e re për grupmoshën U-19, Vllaznia, po përgatitet për t’u bërë pjesë e Ligës së Kampionëve, kompeticioni europian i UEFA-s për këtë kategori. Kjo garë zhvillohet për skuadrat U-19 të ekipeve që kualifikohen në grupet e Ligës së Kampioneve, si dhe kampionët kombëtarë të kampionateve U-19.

FSHF ka dërguar në UEFA shkresën ku i bën me dije se ekipi U-19 i Vllaznisë ka pranuar të bëhet pjesë e Ligës së Kampionëve për të Rinj në rast se do t’i jepet mundësia. Kjo pasi Shqipëria nuk bën pjesë në ato vende që kanë të sigurtë pjesëmarrjen në kompeticionin më të rëndësishëm europian.

Njoftimi i Vllaznisë

“Vllaznia U-19 që u shpall pak kohë më parë kampione e Shqipërisë, mund të jetë ekipi i parë shqiptar që do të marrë pjesë në Ligën e Kampioneve të të rinjve të Europës. Drejtuesit e klubit shkodran paraditen e sotme kanë konfirmuar zyrtarisht në Federatën Shqiptare të Futbollit pjesëmarrjen në këtë aktivitet të rëndësishëm ku marrin pjesë ekipet kampione të vendeve të ndryshme të kontinentit për këtë moshë.

Nga ana e saj, edhe institucioni i futbollit shqiptar ka dhënë aprovimin e tij për këtë pjesëmarrje dhe i ka nisur UEFA-s kërkesën përkatëse për miratimin e Vllaznia U-19 si një nga ekipet pjesëmarrëse të këtij edicioni të sivjetshëm. Tashmë duhet pritur që Federata Europiane e Futbollit të japë miratimin përfundimtar dhe ta vendosë emrin e ekipit shqiptar në vazot e shortit që do të hidhet pas disa ditësh.

Ky padyshim që është një eveniment jo vetëm për futbollin shkodran por edhe atë shqiptar sepse do të jetë pjesëmarrja e parë e një ekipi nga Shqipëria në këtë Ligë Kampioneve që ka disa vite që ka nisur funksionimin e saj.”

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb