Festivali i Muzikës së vjetër “Vox Baroque” mbetet aktiviteti i vetëm në llojin e tij në Shqipëri. Ky festival i kushtohet tërësisht repertorit barok.

Përhapja e kësaj muzike të luajtur me instrumente origjinale, në respekt të plotë të stilit, rregullave dhe mënyrës së interpretimit të asaj kohe, shikimi i muzikës me një këndvështrim tjetër historik dhe kritik duke kërkuar gjithmonë qasje të reja, formësojnë idealin e organizatorëve për të zhvilluar këtë festival të përvitshëm.

Hapja e festivalit këtë vit do të zhvillohet në Kalanë e Rozafës në Shkodër. Kryeqyteti do të presë muzikantët në tri data dhe ambiente të ndryshme si: Reja e Foujimotos, Teatri i Kukullave, dhe Galeria Kombëtare e Arteve.

Petrolifera italo-shqiptare do të jetë shtëpia e muzikës për një prej koncerteve të festivalit.

Korça gjithashtu do të jetë një destinacion tjetër i rrugëtimit të këtij festivali së bashku me Beratin në hapësirat e Muzeut Onufri. Një itinerar muzikor dhe turistik për të gjithë ata që dëshirojnë të shijojnë tingujt e kësaj muzike së bashku me bukuritë e vendeve ku kjo do të luhet, duke promovuar vlerat e trashëgimisë kulturore të vendit tonë.

Ky festival mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe mbahet në datat 2-11 korrik 2017, Tiranë, Shkodër, Berat, Korçë, Vlorë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb