TIRANE– Gazetari Artan Hoxha ka dhënë detaje të reja në lidhje me atentatin e dyfishtë në qytetin e Vlorës ku mbeti i vdekur drejtori i OSHEE Roland Saliu si dhe biznesmeni, Mirvjen Hyseni i cili kishte në pronësi një televizion lokal në qytetin bregdetar. I ftuar në emisionin ‘Kjo Javë’ të gazetares Nisida Tufa, Artan Hoxha tha se drejtori i OSHEE ishte në vendin e gabuar, ndërsa dyshohet se vrasja ka pasur edhe një mesazh brenda. Hoxha tha se Vlora mbetet një qytet problematik sa i përket sigurisë.

“Vlora është një qytet problematik dhe i vështirë dhe për mediat. Vlora është një nga qytetet më të vështira, por Fieri është edhe më problematik por media nuk raporton nga atje. Por në Vlorë raportohet gjithçka. Një nga pistat e ngjarjes në Vlorë, dyshohet të jetë fakti se Mirvjen Hyseni të ketë transmetuar materiale të cilat kanë ndikuar tek vrasja. Pistat më të besueshme janë se është një person që ka qëlluar direkt dhe ka një mesazh brenda. Por nuk përjashtohet mundësia që në këtë rast të jenë përdorur autorë të cilët mund të jenë me pagesë. Por këto janë ende në hetim. Drejtori i OSHEE u ndodh në vendin e gabuar. Ai është vrarë gabimisht dhe rastësisht. Po hetohet e kaluara e tij. Po kontrollohet e kaluara e drejt e OSHEE”- tha Hoxha, raporton “BalkanWeb”.

Ndërkohë gazetari Artan Hoxha tha se po hetohet edhe fakti nëse ngjarja ka pasur lidhje me masakrën e Coles si dhe materialet televizive që transmetonte televizioni ne administrim të tij.

“Po hetohet nëse ka pasur lidhje me detyrën dhe çështjen e pronës. Po hetohet edhe me një ngjarje tjetër, siç është ajo e Coles. Po hetohet edhe për shkak të qëndrimeve që biznesmeni ka mbajtur ne televizionin e tij”- tha Hoxha.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb