Gjelosh Biku ka qenë në SHBA në vitet kur shkoi atje kampioni i peshëngritjes, Aleksander Kondo. Prania e tij në vdekjen e Kondos ishte e rastësishme, por ai e kujton mirë, siç të gjithë do të kujtonin një tragjedi të tillë.

RREFIMI
Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës isha në vitin 1971 dhe në vitin 1987. Atje kam asistuar rastësisht në vrasjen e një shqiptari, që atë kohë kishte bërë emër në Amerikë, quhej Aleksandër Kondo. Edhe pse ishte arratisur dy vjet më parë nga Podgorica, ndërsa ekipi shqiptar kthehej nga një aktivitet ndërkombëtar, unë e kam ndeshur për herë të parë emrin e tij në SHBA. Nuk e di në ka njerëz në Shqipëri, por për herë të parë dua të them atë që kam parë ditën e ekzekutimit të tij. Kam lexuar në shtypin shqiptar se kur shkruhet për të, shkohet deri te vdekja, e atje thuhet se ajo ishte aksidentale. Por them se kjo nuk është e vërtetë. Unë kam një tjetër mendim, nga sa kam parë me sytë e mi ditën e “aksidentit”. Mbase fati i keq është ai që të çon të asistosh në ngjarje kaq tragjike. Mbase askush nuk e mendon kur del për shëtitje se mund të bëhet dëshmitar i një vrasjeje. Po ju them se unë isha bujtës te njerëzit e mi, te nipërit në Nju Jork, të cilët mundoheshin të më plotësonin çdo dëshirë, pasi nuk ua kisha lodhur derën, siç themi ne malësorët. Kështu, ata më nxirrnin të shëtisja në qytetin e madh të Nju Jorkut. E kam parë me sy se si e kanë ekzekutuar Aleksandër Kondon. Me sa më kujtohet, ngjarja ka ndodhur pak para mesditës.

E kam parë se si e morën dhe e “pushkatuan”. Edhe pse ishte e vështirë të merrej vesh se si ishin ato “punë”. Nga shqiptarë të Amerikës kam mësuar se Aleksandri ishte njeri i përmendur në grupimin e tyre, për karakterin, mirësinë dhe të qenët kundërshtar i betuar i regjimit komunist. Aleksandri kishte dalë në një manifestim me flamurin shqiptar pa yllin mbi shqiponjë, pra pa simbolin e komunizmit. Këto ide që manifestonte dhe shprehte ishin ndoshta arsyet për ekzekutimin e tij. Duhet të dini se shqiptarët në Amerikë ishin të ndarë, ka pasur të djathtë dhe të majtë. Aq thellë ishte futur ndër ta Sigurimi i Shtetit. Kishte mes tyre të kuq, komunistë, që dukej sikur kishin lindur në një ditë me Leninin. Këta, madje, ishin njerëzit më të favorizuar ndër shqiptarët, pasi gjenin punë më lehtë dhe, për rrjedhojë, stabilizoheshin pa shumë probleme. Ndryshe ndodhte me të tjerët, të cilët e kishin të vështirë, qoftë dhe gjetjen e një vendi pune. Duhet të thuhet tashmë se kush influenconte për të bërë këtë dasi. Në një karburant ka ndodhur tragjedia, ekzekutimi makabër i Aleksandrit. Ndërsa ky furnizonte makinën, një krep e mori përpara dhe e përplasi në mur. Ishte shumë e dhimbshme.

E pamë trupin e të ndjerit të dëmtuar, të shtypur plotësisht. Më pas me një barelë e morën dhe e hodhën në një makinë. Ishte një gjë e paligjshme dhe dukej që ishte një vrasje e pastër. U fol shumë për këtë ngjarje në Amerikë, por asnjëherë nuk doli në shesh e vërteta. Askush nuk dilte të kërkonte apo të thoshte publikisht se kjo ishte një vrasje e pastër. Edhe unë nuk kam dashur të flas mbi këtë ngjarje për vite të tëra me radhë. Kur isha në Amerikë, miq dhe shokë më thanë të heshtja, sepse isha edhe i dënuar me burg të përjetshëm nga sistemi i Enver Hoxhës dhe mund të kisha probleme, nëse flisja për të vërtetën e ngjarjes ku vdiq Aleksandër Kondo…/panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: