Në vitin 2012 dy shqiptarë, babë e bir, me prejardhje nga Kosova kishin vrarë dy shqiptarët të tjerë po ashtu babë e bir në Oensingen të Solothurnit, Zvicër. Ata ishin miq me njeri-tjetrin.

Gjykata e Lartë e Solothurnit kishte dënuar 54-vjeçarin dhe të birin 28-vjeçar në fund të vitit të kaluar me dënime burgu shumëvjeçar: 20 vjet për djalin dhe 18 vjet për të atin, shkruan polizeinews.ch.

Por, problemi ishte se babai nuk ishte paraqitur fare në gjykim, pasi gjatë asaj kohe po shfrytëzonte pushimin që e jep burgu, transmeton albinfo.ch. Dhe për këtë pushim ai kishte shkuar në Kosovë, ku dhe ishte sëmurë. Nga ajo kohë ai kërkohej nga Zvicra, madje edhe nga Interpol.

Por së fundi personi në fjalë është kapur nga policia kosovare, shkruan solothurnerzeitung duke cituar portalin kosovar indeksonline. Edhe policia e Kosovës e ka konfirmuar për gazetën ‘blick’ se është arrestuar një person me të dhëna të njëjta.

Edhe një pjesëtar i afërm i të dy familjeve i cili në të njëjtën kohë kishte qenë në Kosovë, është shprehur i kënaqur me arrestimin. “Ne gëzohemi shumë. Unë shpresoj se ai tani do të përfundojë në burg”, ka thënë i afërmi i viktimave.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: