Presidenti i Serbisë Aleksandar Vucic, ka thënë se për të mbyllur një herë e përgjithmonë çështjen e Kosovës, të dyja palët duhet të “humbin nga pak”. Në një intervistë për gazetën zvicerane Blick, Vucic ka pranuar edhe një herë se kjo është një temë e dhimbshme për serbët.
“Kemi ende sfida. Njëra ndër to është Kosova, një temë e dhimbshme për ne serbët. Është e lehtë të thuhet: Shkoni luftoni për Kosovën. Por kjo na ka sjellë gjithmonë luftëra. Unë dua të eci në një rrugë të re për Serbinë. Dua të bisedojmë në mënyrë të hapur dhe korrekte rreth një zgjidhjeje për konfliktin e Kosovës”, ka thënë Vucic.

“Edhe nëse serbët nuk janë të gatshëm për këtë, unë nuk dorëzohem. Sepse ky debat do të ketë një efekt shërues te ne, pa marrë parasysh a do të arrijmë ndonjë rezultat apo do të dështojmë”, u shpreh ai.
Por, çfarë do të ishte një dështim në këtë çështje?
“Nëse të dyja palët nuk jemi të gatshëm të humbasim diçka, atëherë konflikti do të vazhdojë përgjithmonë. Kjo na dëmton të dyja palët. Unë besoj që jam njeriu i duhur për këtë punë”, theksoi Vucic.

I pyetur se çfarë është në gjendje të jap Serbia për arritjen e marrëveshjes, Vucic tha se për këtë nuk diskuton publikisht.
“Nuk diskutojmë për këtë publikisht. Jemi të gatshëm të gjejmë një kompromis të mirë dhe të bëjmë përparim. Dikur konflikti duhet të zgjidhet dhe do të ishte më mirë ta bëjmë sot, se sa pas 100 vitesh”, ka thënë Vucic.
“E di që shqiptarët dhe Serbët këtu në Zvicër jetojnë në paqe dhe jetojnë së bashku si shokë. Pikërisht këtë duhet ta arrijmë në vendin tonë”, deklaroi ai.
(I.ç/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb