BERAT– Skema e re e përfitimit të ndihmës ekonomike që synon të ofrojë mbrojtje, riintegrim dhe mirëqenie për çdo qytetar në nevojë, është diskutuar sot në Berat nga ministrja e Mirëqenies Sociale, Olta Xhaçka. Këto u theksuan gjatë panairit “Ustai i qytetit tim”, i organizuar nga Dhoma Kombëtare e Zejtarisë.

Familjarë që përfitojnë nga skema e ndihmës ekonomike, të punësuar nga projekti integrues i Zyrës së Punës në bashkëpunim me bizneset fasone, si dhe drejtues të bashkisë dhe njësive vendore, ishin prezent në një takim të hapur të zhvilluar në pedonalen e qytetit, ku ministrja Xhaçka foli rreth projektit: “Në mbrojtje, riintegrim dhe mirëqenie”.

“Qeveria është tërësisht e angazhuar të bëjmë gjithçka në fuqinë tonë për t’ju ndodhur pranë më të pamundurve të shoqërisë sonë. Këto 3 vjet e gjysmë kemi bërë reforma të rëndësishme si ajo e ndihmës ekonomike dhe synimi kryesor nuk është thjesht dhënia e një lëmoshe nga shteti. Qëllimi ynë shkon shumë përtej konceptit të lëmoshës sociale. Jo, reforma ka për qëllim ndihmën e familjeve më të varfra me angazhimin për t’i mbështetur ato hap pas hapi drejt fuqizimit social dhe ekonomik të tyre. Zyrat tona të punës, funksionojnë sot me shërbim shumë cilësor, dhe mbi të gjitha me oferta pune për gjithkënd që synon punë dhe një të ardhme më të mirë përtej mbijetesës së përditshme”, u shpreh ministrja Olta Xhaçka.

Një panair i artizanëve të Beratit, me pjesëmarrjen e artizanëve më të vjetër të qytetit por edhe artizanë të ardhur nga shkollat e mesme profesionale nga Lushnja e Fieri, u zhvillua më pas përgjatë pedonales së qytetit.

Panairi bashkoi punimet e artizanëve të njohur të qytetit me krijimet e nxënësve të shkollave profesionale, të cilave po i jepet mjaft prioritet, veçanërisht në qytetin e mbrojtur nga UNESCO.

Në fjalën e saj në këtë panair, ministrja Xhaçka u shpreh mbi rëndësinë e punimeve që dalin nga duart e mjeshtërve, të cilat tërheqin çdo ditë e më tepër vëmendjen e vizitorëve.

“Nëpërmjet reformave të qeverisë në favor të artizanatit, zejet kanë marrë rëndësinë e duhur dhe vetë artizanët kanë filluar të kuptojnë rëndësinë që ka profesioni i tyre, i trashëguar ndër breza. Qeveria shqiptare do ta rivitalizojë zejtarinë, në mënyrë që mundi i zejtarëve të jetë edhe pjesë e shitjes dhe marketingut”, u shpreh ministrja Xhaçka.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb