TIRANE– Dy forcat politike kryesore në vend kanë zbardhur pasditen e sotme marrëveshjen e arritur mbrëmjen e djeshme mes Lulzim Bashës dhe Edi Ramës që i jep fund konfliktit politik.

Një nga kërkesat e opozitës që përmban marrëveshja është edhe zëvendësimi i 6 ministrave të kabinetit ‘Rama’ me ministra teknikë. Pikërisht një nga ministrat që zëvendësohet dhe duhet të lërë postin është ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, i cili ndodhej në Itali për vizitë zyrtare kur ka mësuar lajmin.

Me ftesë të Ministrit të Brendshëm të Italisë Marco Minniti, Fatmir Xhafaj zhvilloi vizitë zyrtare në Ministrinë e Brendshme italiane (Viminale). Dy ministrat kanë diskutuar për thellimin e marrëdhënieve mes dy policeve.

Gjithashtu gjatë vizitës në Itali, Xhafaj zhvilloi një takim me Prokurorin e Drejtorisë Kombëtare të Antimafias, Franco Roberti, ku u diskutua mbi reformën në drejtësi, si dhe u ra dakord për thellimin e marrëdhënieve të ndërsjellta dypalëshe, kryesisht në drejtim të hetimeve të përbashkëta në luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike dhe grupeve të strukturuara kriminale.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: