TIRANË- Gazetari Ylli Rakipi ka komentuar në studion e lajmeve në News 24 “rebelimin” e kreut të PSD-së, Skënder Gjinushit ndaj thirrjes së disa aleatëve të vegjël të PS-së për tu tërhequr të gjithë nga gara më 25 qershor.

Sipas Rakipit, Gjinushi ka të drejtë që nuk tërhiqet sepse ka afruar pranë partisë së tij njerëz që marrin vota, siç është Tom Doshi.

Nga ana tjetër gazetari e sheh kërkesën si të volitshme edhe për PS, e cila mund ta shfrytëzonte për të hequr një grerëz të madhe nga qafa, duke iu referuar kështu aleatëve të vegjël.

“E majta duket më më e qartë në atë që kërkon, ndërsa PD i ka futur aleatët nën sqetullën e vetë. PS e bën këtë kërkesë për të mos i krijuar telashe vetes, që aleatët të mos jenë një grerzë e madhe në qafën e PS. Por nga ana tjetër Gjinushi ka një vlagë të së shkuarës, ka afruar njerëz të rëndësishëm që dinë të marrin vota. Do kandidojë Doshin për këtë parti. Kjo e bën të dallohet nga emrat e tjerë”,- tha ai.

Kujtojmë se përveç Gjinushit edhe kreu i PDS-së, Paskal Milo i ka kthyer përgjigje negative Petro Koçit të PSV ‘91 i cili bëri thirrje sot partive të majta që janë regjistruar tashmë në KQZ për zgjedhjet e qershorit, të tërhiqen nga gara dhe të kërkojnë vota për PS-në. Sipas tij, votat për to dëmtojnë fitoren e PS-së.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: