Lideri i Lidhjes Social Demokrate Zoran Zaev, i cili kryeson shumicën e re parlamentare zgjedhjen e kryetarit të ri të parlamentit, edhe përkundër zhvillimeve të dhunshme në këtë institucion gjatë ditës së djeshme, e ka cilësuar si një hap shumë të rëndësishëm për proceset demokratike.

“Kemi bërë një hap të madh në proceset demokratike, sipas shumicës parlamentare. Kemi bërë hapin e parë me zgjedhjen e kreut të Kuvendit dhe do të vazhdojmë me formimin e institucioneve tjera. Uroj Xhaferin dhe e kujtoj se e mbështesim fuqishëm”, ka theksuar lideri i socialdemokratëve.

Duke komentuar zhvillimet e dhunshme në parlament, me ç`rast një pjesë e protestuesve kishin sulmuar deputetët e shumicës parlamentare, ne mesin e të cilëve ishte dhe ai, Zaev tha se dhunuesit ishin pjesëtar të policisë dhe disa të tjerë i cilësoi si banditë që kishin për qëllim likuidimin e tij.
Lideri i LSDM-së tha se nuk do t’i përgjigjet ftesës së Ivanovit, duke e bërë përgjegjës për atë që ndodhi në Parlamentin e Maqedonisë gjatë ditës së djeshme.

Në formë ironike Zaev pyeti se ku do të duhej të mbahet takimi. “Sipas të gjitha gjasave në qendrën klinike sepse veprimet e Ivanovit bënë që kryetarët e partive të marrin lëndime serioze trupore”, duke treguar fashat me të cilat kishin lidhur plagët një pjesë e deputetëve që qëndronin pas tij dhe duke theksuar se lideri i LR PDSH, Zijadin Sela ende është i shtrirë në spital.

Ngjarjet e dhunshme në parlamentin e Maqedonisë i ka dënuar dhe lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

Nga Tetova ai ka bërë thirrje për gjakftohtësi dhe njëherësh ka kërkuar që problemi intra etnik politik të mos shndërrohet në problem ndër etnik.

“Me këtë rast apeloj tek të gjithë qytetarët në RM që të ruajnë gjakftohtësinë, urtësinë dhe në veçanti tek shqiptarët që ky problem nga intra-etnik mos të shndërrohet në problem ndër-etnik. Por siç ka filluar si problem politik, me mjete politike të zgjidhet dhe të marrë drejtimin duhur drejt konstituimit të institucioneve të shtetit”, ka thënë Ahmeti.

Përpara Parlamentit të Republikës së Maqedonisë situata duket se është e qetë ndërkohë që në derën kryesore hyrëse të Parlamentit vazhdojnë të qëndrojnë dhjetëra protestues të cilët mbrëmë kanë ngritur tenda.
Ndërkohë që rreth godinës së parlamentit ku janë vendosur barrikada metalike për të bllokuar qarkullimin e qytetarëve vërehet prania e përforcuar e forcave speciale të policisë të cilët kanë mbërritur nga shumë qytete të Maqedonisë.

Shërbimi për informim i Parlamentit të Maqedonisë ka njoftuar se protestuesit të cilët dje kanë hyrë në këtë institucion kanë shkaktuar dëme të mëdha materiale në disa pjesë të kësaj godine përderisa një pjesë e hapësirave për punë, qendra për konferencë për shtyp, por edhe salla “Maqedonia” janë jashtë përdorimit.

Nga ky institucion njoftojnë se po bëhen përpjekje maksimale për të kthyer në gjendje normaliteti këtë institucion.

Kryetarja e komitetit të Helsinkit në Shkup Uranija Pirovska, për Radion Evropa e Lirë ka thënë se pjesë e inskenimit të dhunës në Parlamentin e Maqedonisë janë dhe forcat policore të cilat kanë lejuar hyrje të papenguar të protestuesve në Kuvend.

Piroska thotë se madje personat e maskuar janë orientuar nga policia se në cilën pjesë kanë qenë të vendosur deputetët të cilët më pas i kanë sulmuar fizikisht persona të maskuar.

Gjatë ditës së djeshme qindra protestues në organizim të iniciativës për ‘Maqedoni të përbashkët’, kanë hyrë në Parlamentin e Maqedonisë dhe kanë sulmuar deputetët e shumicës së re parlamentare pasi ata paraprakisht në një situatë të tensionuar zgjodhën kryetarin e ri këtij institucioni ligjvënës.

LSDM fajëson Gruevskin për orkestrim të dhunës në Maqedoni
“Proceset demokratike në Maqedoni do të vazhdojnë pavarësisht dhunës së shfrenuar ndaj përfaqësuesve të zgjedhur në Kuvend nga Nikolla Gruevski dhe grupi i ngushtë rreth tij”, thuhet në reagimin e LSDM-së, partisë së Zoran Zaevit.

Gruevski, sipas LSDM-së, shpëtimin e vetëm e sheh në nxitjes e dhunës, pasigurisë dhe destabilizimit të vendit.

“Askush nuk mund të pengojë besimin dhe vullnetin e qytetarëve të Maqedonisë për jetë, drejtësi dhe përcaktimin euroatlantik të Maqedonisë. Prioritet kryesor i qytetarëve mbetet realizimi i vullnetit të shumicës së qytetarëve i shprehur në zgjedhje të besueshme dhe transferimit të pushtetit, në përputhje me kushtetutën, rregulloren dhe ligjet e Maqedonisë”, thuhet në komunikatën me shkrim.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb