TIRANË- BalkanWeb zbardh pikat e draftit që negociatorët e BE-së ia paraqitën në takimin e orës 19:00 në Pallatin e Kongreseve, Lulzim Bashës, Edi Ramës e Ilir Metës.

Drafti në fjalë është propozuar nga BE, OSBE dhe Ambasada Amerikane, ndërsa një nga pikat e tij është kriminalizimi i proçesit të shitjes apo blerjes së votës, pra të quhet vepër penale dhe të maksimizohet dënimi për këdo që shet dhe e blen votën.

Një tjetër pikë e propozuar është që kreu i KQZ-së t’i kalonte opozitës, si dhe ndryshimin e disa drejtuesve në polici, që opozita të krijonte më shumë besim.

Por pavarësisht këtyre, gazetarja Elda Menga raporton për BalkanWeb se negociatat kanë “ngecur” pikërisht në një kërkesë të opozitës të papërfshirë në draft, ajo për qeveri teknike.

Pas rreth 35 minutash nga takimi i veçuar me zyrtarin e PPE-së David McAllister, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ishte i pari që doli nga ambientet e Pallatit të Kongreseve. Fill pas kësaj, PD-ja njoftoi se opozita nuk tërhiqet nga kërkesa për qeveri teknike.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb