TIRANE– Pas caktimit të 6 emrave të ministrave teknikë dhe zëvendëskryeministrit, si pjesë e marrëveshjes së 18 majit, Partia Demokratike ka mbledhur sot grupin parlamentar. Lulzim Basha bëri një përmbledhje të rezultatit të marrëveshjes politike të 18 majit, ndërsa është diskutuar për ndryshimet që janë bërë në Kodin Penal, në Ligjin e Medias dhe në Ligjin e Financimit të Partive. Gjithashtu kreu i PD, Basha u ndal në pikat kryesore që kanë të bëjnë me garantimin e votës së lirë.

Ai zbardhi para deputetëve propozimet e PD-së për Kodin Zgjedhor që parashikojnë se:

Shit-blerja e votës do të dënohet në mënyrë taksative nga 1 deri në 7 vite burg. Nuk do të ketë masa ndëshkimore si gjoba por veëtëm burg për ata që do të tentojnë tjetërsimin e vullnetit të lirë të votuesve shqiptarë. Kjo vepër penale, do të jetë e paamnistueshme.

Do të dënohet nga 1 deri në 7 vite burg marrësi dhe dhënësi i kartave të identitetit.

Shpërdorimi i autoritetit policor për të influencuar në mbështetjen e një partie politike do jetë veper penale dhe të dënohet deri në 5 vjet burgim.

Përdorimi i mjeteve publike, veprimtarisë shtetërore apo i burimeve financiare ose njerëzore, për zgjedhje, do dënohet vetëm më burgim, nga 1 deri ne 4 vjet.

Ashpërsim të dënimeve për të gjitha veprat e tjera penale në fushën e zgjedhjeve, duke i parashikuar të gjitha si krime.

Gjithashtu, do të forcohen rregullat për të mbikqyrur financimin e partive dhe ndalimin e financimeve të paligjshme.

Të gjitha këto masa dhe ndërhyrje, bëhen për të garantuar qytetarët shqiptarë nga presionet dhe shitblerja e votës si dhe për të siguruar garë të ndershme për partitë politike në fushatën zgjedhore.

Këto ndryshime, së bashku me ministrat teknikë, kreun e ri të KQZ dhe Avokatin e Popullit si rezultat i marrëveshjes politike të 18 majit, do të miratohen sot në seancën e pasdites në Kuvend”, – sqaroi Basha.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb