TIRANË- Duket se pas vizitës së zëvendësndihmës sekretarit amerikan të shtetit Hoyt Brian Yee do të ketë një takim të tretë mes maxhorancës dhe opozitës. Kjo, pasi kryedemokrati Lulzim Basha është shprehur i gatshëm për negociata. Gazetarja Marsela Karapanço tha për “BalkanWeb” se Basha ka pohuar para zyrtarit të lartë amerikan dhe ambasadorit Donald Lu se “është i hapur për negociata në nivel teknik e politik”.

Zyrtari i DASH, Hoyt Brian Yee ka takuar në selinë blu pasditen e sotme kreun e opozitës Lulzim Basha përreth 90 minuta, ndërsa zv.ndihmës sekretari amerikan ka sjellë edhe njëherë në vëmendjen paketën McAllister si një mundësi për zgjidhje të ngërçit.

Më herët, zyrtari amerikan takoi edhe kryeministrin e vendit Edi Rama e Presidentin e zgjedhur Ilir Meta.

Përveç kreut të grupit Parlamentar të PD-së, Edi Paloka, në takimin e Bashës me zyrtarin e DASH kanë qenë edhe aleatët Nard Ndoka, Fatmir Mediu, Vangjel Dule, Dashamir Shehi dhe Agron Duka.

Sakaq, ambasadori Donald Lu ka shoqëruar edhe tek Basha Zëvendës ndihmës sekretarin e Shtetit për Evropën dhe Azinë, Hoyt Brian Yee, ashtu sië bëri edhe në takimet me Ramën e Metën.

Ajo që bie në sy në axhendën e zyrtarit të lartë amerikan është takimi që pritet të zhvillojë me dy grup deputetë demokratë, kritikë të kreut të PD-së, Basha, siç është bërë e ditur me Majlinda Bregun, dhe Astrit Patozin.

Pak para zhvillimit të kësaj vizite në vendin tonë, zyrtari i lartë i DASH, Hoyt Brian Yee bëri një apel, gjatë forumit 2BS të mbajtur në Budva, për të gjitha vendet e rajonit, përfshirë Shqipërinë. Hoyt Brian Yee shprehet se qytetarët i japin besim politikanëve për t’u përballur në fushën e betejës që është Parlamenti.

“Parlamentet duhet të përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat e qytetarëve. Deputetët që bojkotojnë Parlamentin shmangin përgjegjësinë e tyre dhe injorojnë këshillën e ish-Presidentit të SHBA-ve, Theodore Roosevelt, se besimi i takon njeriut që është në të vërtetë në fushë betejë, jo njeriut që tregon se si të pengojë më të fortin”, tha Yee, sipas një artikulli të botuar në portalin European Western Balkans.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: