TIRANE- Detaje të reja janë publikuar nga takimi 60 minutësh i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, me raporterin e Parlamentit Europian për Shqipërinë, Knut Fleckenstein, pasditn e sotme.
Një ditë para protestës së parlajmëruar të opozitës, kryedemokrati Basha informoi eurodeputetin se “kryeministri Edi Rama po instalon në vend një sistem autokratik ku kontrollon të gjitha pushtetet, që po i përdor për të dhunuar dhe shkelur të drejta dhe liritë kushtetuese të qytetarëve”.
Duke iu referuar protestën në Rrugën e Kombit dhe arrestimit të 23 protestuesve, Basha tha se qytetarët shqiptarë po vuajnë grabitjen e dyfishtë nga qeveria, si dhe drejtësinë me dy standarde të kontrolluar nga qeveria.
“Qytetarët në burg dhe kriminelët në liri është standardi Rama për drejtësinë e kapur. Sot 11 qytetarë të varfër janë në burg, sepse refuzojnë një taksë që nuk e paguajnë dot. Ndërsa kriminelët dhe politikanët e lidhur me krimin dhe të korruptuar si Saimir Tahiri, Vangjush Dako, Damian Gjiknuri, Klement Balili, dhe të tjerë janë të lirë”, theksoi Basha.
Kryetari i PD njohu raporterin Fleckenstein me faktet që provojnë se qytetarët nga Kukësi u arrestuan në dhunim të të drejtave kushtetuese, pas mesnatës, pa prova, pa urdhërarreste dhe se prokuroria fallsifikoi proçesverbalet për kohën e arrestimit të tyre.
“Me urdhër të Edi Ramës policia dhunoi sot deputetët e opozitës në tentativë për të penguar transparencën e rrëmbimit të paligjshëm dhe dhunimit të të drejtave të protestuesve dhe familjarëve dhe fëmijëve të tyre”, tha ai.
Kreu i opozitës vuri në dukje se qytetarët nuk refuzojnë pagesën e taksave, siç deklaron qeveria, por refuzojnë grabitjen e dyfishtë, refuzojnë të paguajnë dy herë për të njëjtin shërbim. Basha tha se shqiptarët paguajnë taksën e qarkullimit, e dedikuar për mirëmbajtjen e rrugëve 200 milionë euro në vit dhe për të cilën nuk ka transparencë për çfarë përdoret.
Lulzim Basha rikonfirmoi qëndrimin e Partisë Demorkatike për hapjen e negociatave pavarësisht se qeveria ka bërë regres në përmbushjen e 5 kritereve kyçe. Basha argumentoi se nga një vendim negativ për moshapjen e negociatave tyre përfiton sistemi autokrat që Rama po instalon nëpërmjet kapjes së shtetit, çka u tregua edhe sot me veprimet e paligjshme dhe të dhunshme të policisë, prokurorinë dhe gjykatën.
“Mosbindja civile dhe protesta janë reagimi i vendosur qytetar përballë grabitjes dhe padrejtësisë nga një qeveri që ka privatizuar policinë, prokurorinë dhe gjykatat për të grabitur pasuritë publike, për të terrorizuar njerëzit e thjeshtë dhe për të mos ndëshkuar krimin dhe korrupsionin. Mosbindja civile është refuzimi që qytetarët i bëjnë grabitjes dhe padrejtësisë qeveritare”, theksoi kreu i opozitës.
Ai e siguroi Fleckenstein se opozita do të jetë në krah të qytetarëve në çdo protestë.
(BalkanWeb)