Gjatë periudhës Prill 2016 – Qershor 2017, Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri, organizatë mjedisore e shoqërisë civile (OMShC) me veprim në të gjithë Shqipërinë, ka vlerësuar zbatimin e legjislacionit për ruajtjen e natyrës në Shqipëri. Procesi i vlerësimit është përqendruar në disa nivele, duke filluar nga: vlerësimi i Dokumenteve Strategjike; Konventave Ndërkombëtare të ratifikuara deri më tani; niveli i përafrimit të legjislacionit me BE; niveli i njohjes dhe zbatueshmërisë së akteve ligjore në fushën e ruajtjes së natyrës si dhe plotësimi i tyre me aktet nënligjore; hartimi, zbatimi dhe monitorimi i akteve ligjore në praktikë.

Kjo iniciative e Institutit për Ruajtjen e Natyrës është marrë në zbatim të projektit “Fuqizimi i OMShC-ve shqiptare për promovimin dhe ruajtjen e natyrës në Shqipëri”, të realizuar në kuadër të programit ACHIEVE (Shoqëri Civile Shqiptare për një Mjedis Evropian në Shqipëri), i zbatuar nga REC Shqipëri, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian (Delegacioni në Shqipëri).

Nga vlerësimi i dokumenteve më të rëndësishme strategjike rezulton se Strategjia Ndër Sektoriale e Mjedisit (SNM) nuk është miratuar, ndërsa Dokumenti i Politikave Strategjike për Mbrojtjen e Biodivesitetit (DPSMB), miratuar me VKM nr. 31, datë 21 Janar 2016, nuk njihet sa duhet dhe ka mungesë dokumentacioni plotësues, e për rrjedhojë, nuk zbatohet ne nivelin e duhur.

Pozitiv është fakti që Shqipëria aderon në një numër (rreth 6) konventash ndërkombëtare për mjedisin, biodiversitetin, peizazhin etj., si dhe përfshirja e detyrimeve të tyre në Strategjitë dhe Planet e Veprimit dhe në hartimin e legjislacionit për fushën e ruajtjes së mjedisit dhe të natyrës. Por, gjatë procesit të vlerësimit është evidentuar se ka mosnjohje, mungesë zotërimi dhe për rrjedhojë mungesë zbatimi të detyrimeve të këtyre konventave në praktikë. Në mjaft raste detyrimet e konventave nuk pasqyrohen plotësisht në politikat, programet, projektet dhe veprimtari të ndryshme sektoriale, kryesisht në nivel lokal. Në procesin e vlerësimit të ndikimeve në mjedis nuk merren parasysh të gjitha konventat për mbrojtjen e natyrës dhe biodiversitetit, të ratifikuara nga Shqipëria.

Lidhur me përafrimin e legjislacionit në fushën e ruajtjes së natyrës, vlerësohet progresi i deritanishëm në përafrimin e Direktivës së Habitateve, Direktivës së Shpendëve të egër, dhe përafrimi i pjesshëm i Direktivës së ZOO-ve. Nuk njihen direktivat kryesore të fushës së mbrojtjes të natyrës në nivel lokal nga strukturat administruese, menaxhuese dhe ligj zbatuese që merren me ruajtjen e natyrës. Në përafrimin e Direktivës së Zoo-ve, nuk preket: licencimi i zoo-ve, si një nga çështjet me kritike; kriteret dhe kushtet që duhet të plotësoj një zoopark duke marrë në konsiderate biologjinë dhe kërkesat ekologjike të llojeve si dhe procesi i inspektimit të zooparqeve. Organet ligj zbatuese e monitoruese nuk kanë programuar dhe zbatuar ligjin për mbajtjen e kafshëve dhe shpendëve të egër në robëri apo dhe për qëllime tregtimi, argëtimi, zbukurimi, etj. Megjithatë deri me tani, vlerësohen përpjekjet dhe bashkëpunimi i Ministrisë së Mjedisit, Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve dhe Organizatave të Shoqërisë Civile, për evidentimin dhe riaftësimin e arinjve në robëri si dhe themelimin e grupimit të “Shpëtojmë Arinjtë Shqiptarë”.

Lidhur me zbatueshmërinë e legjislacionit për fushën e ruajtjes së natyrës, vlerësohet si pozitiv miratimi i dy moratoriumeve, ai i Gjuetisë dhe i Pyjeve. Por theksohet se ka mosnjohje të ligjeve më të rëndësishëm, nga institucionet shtetërore puna e të cilëve lidhet me zbatimin e këtij legjislacioni (veçanërisht në pikat doganore dhe institucione të pushtetit lokal). Mosnjohja e legjislacionit është më e theksuar për Organizatat Mjedisore të Shoqërisë Civile (OMSHC). OMSHC-të duhet të kenë kapacitetet e duhura për adresimin e çështjeve mjedisore në mënyrë profesionale, dhe kjo mund të arrihet duke filluar me një njohje shumë të mirë të legjislacionit në fuqi.

Gjithashtu, një problematikë tjetër për moszbatimin e legjislacionit në fuqi është edhe mosplotësimi i akteve nënligjore. Në vitet e fundit, ndryshimet administrative dhe organizmi territorial kanë sjellë paqartësi midis institucioneve në lidhje me kompetencat ligjore në zbatim të ligjeve dhe të akteve nënligjore.

Situata e zbatimit në praktikë të legjislacionit për ruajtjen e natyrës, nuk ka përmirësime të dukshme sepse përveç të tjerash nuk ka monitorime të rregullta mbi zbatimin e akteve ligjore e nënligjore për ruajtjen e natyrës; mbikëqyrje të rregullta të monitorimit të rehabilitimit të mjedisit për aktivitetet që kryhen nga subjekte të ndryshme dhe kjo reflektohet edhe tek të dhënat në raportet përkatëse; Nuk janë bërë në vijimësi inspektimet e subjekteve private e publike të cilët zotërojnë individë të faunës së egër të keqtrajtuar, burgosur, balsamosur apo të ekspozuar në restorante, etj., përveç arinjve; Nuk evidentohen raste e proceduara për masat ndëshkimore në rast moszbatimi të legjislacionit.

Të gjitha gjetjet e mësipërme, janë bërë nga Organizatat Mjedisore të Shoqërisë Civile, për të njohur situatën në vend dhe për të marrë masa për forcimin e rolit te OMSHC-ve në të ardhmen, në mënyrë adresimin e këtyre problematikave në mënyre profesionale.

Roli i OMShC-ve, është rritur në mënyrë të ndjeshme nga viti në vit, por ende nuk ka ndikimin e duhur në jetën publike dhe politike të vendit në lidhje me mjedisin e natyrën si dhe për vlerësimin dhe promovimin e ruajtjes dhe të përdorimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore.

Niveli i përmirësimit të bashkëpunimit mes OMShC-ve me autoritetet shtetërore të çdo niveli, pjesëmarrja aktive dhe cilësore në proceset legjislative, të investigimit në zbatimin e legjislacionit, duke pasur parasysh si nismat publike ashtu dhe ato private, ende është i dobët dhe

jo mjaftueshëm rezultativ. Në pjesën më të madhe të rasteve, roli dhe bashkëpunimi është i penguar nga mungesa e kapaciteteve të duhura dhe aftësive të komunikimit ndërmjet OMShC-ve, përfshi edhe komunitetin.

Megjithëse fokusi kryesor i këtij vlerësimi është forcimi i rolit të shoqërisë civile, disa konstatime të rëndësishme qëndrojnë edhe për institucionet shtetërore si: monitorimi i zbatimit të dokumenteve strategjike, konventave, direktivave, etj, duhet të bëhet në vijueshmëri nga organet më të larta; përmirësimi i zbatueshmërisë duhet të nisi me njohjen e tyre edhe në nivel lokal; organet ligj zbatuese duhet të programojnë të forcojnë masat kontrolluese, shtrënguese dhe ndëshkuese; institucionet shtetërore duhet të zhvillojnë kontakte më të shpeshta me institucionet e vartësisë, dhe bashkitë për të siguruar që këto institucione dhe stafi i tyre kanë njohuri të mira mbi legjislacionin dhe zbatimin e tij në praktikë.

Po për të njëjtën arsye, këto kontakte duhet të kryhen edhe me specialistët e institucioneve monitoruese dhe ligj zbatuese të mbrojtjes së mjedisit, të planifikimit dhe zhvillimit të territorit, të cilat merren edhe me përdorimin e burimeve natyrore, biodiversitetit dhe peizazhit. Por mbi të gjitha duhet të shtohet bashkëpunimi mes OMShC-të dhe palët e tjera të interesuara, në dobi të ruajtje së natyrës dhe menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve natyrore.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: