TIRANE– Draft-marrëveshja që iu është paraqitur palëve nga zyrtarët e BE, ka patur në përmbajtjen e saj një sërë pikash të propozuara nga 3 partitë më të mëdha politike në vend. Por burime për “BalkanWeb” theksojnë se ky draft nuk përfshinte kërkesën kryesore të opozitës, atë për një qeveri teknike.

E me sa duket kjo ka qenë edhe arsyeja që ka shkaktuar pakënaqësi tek kreu i opozitës Lulzim Basha, i cili brenda pak minutave është larguar nga takimi me zyrtarin e PPE, David McAllister.

Pas këtij takimi, në një komunikim të shkurtër me gazetarët, Basha ka theksuar se nuk kanë filluar ende negociatat, por sipas tij takimet zhvillohen në kuadër të bisedimeve.

Ngërçi politik i shkaktuar si pasojë e protestës së opozitës që kërkon qeveri teknike si kusht për hyrjen në zgjedhje kanë sjellë në Tiranë edhe dy negociatorët e huaj, Knut Fleckenstein dhe David McAllister, por takimet e zhvilluara në dy fazat e para nuk kanë dhënë rezultat.

Për 90 minuta të dërguarit e BE-së, eurodeputeti Knut Fleckenstein dhe zyrtari i PPE-së, David McAllister kanë negociuar me Lulzim Bashën, ndërsa në fund të takimit të gjitha palët dukeshin shpresëplotë e të qeshur.

Vetëm pak minuta më pas, në takimin me McAllister në ambientet e Pallatit të Kongreseve, Basha u duk i prerë në qendrimin e tij.

Kujtojmë që më herët, në funksion të zgjidhjes së krizës u zhvillua edhe një takimi 60 minutësh në Kryesinë e Kuvendit, me kryeparlamentarin Ilir Meta dhe kryeministrin Edi Rama.

Fill pas këtyre takimeve nga PD kanë theksuar se opozita mbetet e vendosur në kërkesën për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira e të ndershme.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb