FIER – Pas gjetjes së trupit të dekompozuar në një kanal ditën e djeshme në fshatin Daullas të Fierit, policia ka identifikuar viktimën si dhe arrestuar autorin.
Nga Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda, pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, pas një pune të mirëorganizuar operative dhe hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, u bë e mundur zbardhja e vrasjes së shtetasit Kreshnik Beqiraj, 36 vjeç, banues në Fier.
Po në vijim të punës hetimore u bë identifikimi e ndalimi i autorit të vrasjes Albert Zekaj, 32 vjeç, banues në Kalldrun, Bashkia Koplik, Malësi e Madhe.
Ky shtetas ka qenë shok me viktimën Kreshnik Beqiraj, ku janë njohur para tre vjetësh në Belgjikë dhe më pas kanë qëndruar në shtëpi me qera në qytetin e Fierit.
Më datë 22.06.2017 rreth orës 23:00 ky shtetas dyshohet se e ka vrarë ne sende te forta dhe trupin e ka hedhur në afërsi të fshatit Daullas.
Ne vijim të hetimeve dhe informacioneve operative u arrit të identifikohej autori dhe u shoqërua në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier.
Pas marrjes në pyetje ai pranoi autorësinë e vrasjes dhe hedhjen e kufomës në vendin ku u gjet.
Viktima ishte denoncuar në polici i humbur nga familjarët, por nga veprimet e kryera si dhe nga dyshimet e familjarëve, në muajin Janar 2018 Drejtoria Vendore e Policisë Fier ka nisur hetimet pasi dyshohej se ky shtetas mund të ishte vrarë ose rrëmbyer.
Nga kryerja e veprimeve proceduriale u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
– një batanije e cila kishte shërbyer për transportin e trupit.
– një çekiç me të cilin autori ka kryer krimin;
– mbetje të trupit të cilat u dërguan pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore Tiranë, për ekzaminim të mëtejshëm.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale “Vrasje me dashje“.
(e.f/BalkanWeb)