SERBI-Qeveria e Serbisë është shprehur e sigurt se me futjen e Listës Serbe në legjislativin e ardhshëm të shtetit të Kosovës, do të parandalohet formimi i Ushtrisë së Kosovës. Në një konferencë të përbashkët të kryeministrit në largim të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ministrit të Punës në qeverinë serbe dhe përfaqësuesve të Listës Serbe, është thënë se është me rëndësi vitale që serbët në Kosovë të votojnë për Listën Serbe.

“Kur dëgjoni kandidatin për kryeministër Ramush Haradinaj, i cili po kërcënon të arrijë në Nish, mund të supozojmë se çfarë mund të bëjë nëse formon ushtrinë. Serbët nuk duhet ta lejojnë”- ka thënë ministri serb, Aleksandar Vulin.

Vulin ka thënë se “pa shtetin e Serbisë nuk do të kishte jetë në Kosovë dhe Metohi”.

Ndërsa drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq, ka thënë se vota për Listën Serbe në zgjedhjet parlamentare të Kosovës, do të thotë “mbështetje e vazhdueshme për institucionet serbe në Kosovë”.

“Njerëzit tanë në Kosovë dhe Metohi duhet të mblidhen rreth Listës Serbe, sepse kjo do të thotë mbështetje e vazhdueshme për institucionet serbe në Kosovë dhe Metohi, po ashtu do të mbahen lidhjet institucionale me shtetin e Serbisë, në të cilat Kosova dhe Metohija është pjesë integrale”, tha Gjuriç.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb